Gratë dhe ekonomia botërore

Gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në tregjet e punës. Por, fitimet e mundshme ekonomike dhe sociale nga rritja e përqindjes së grave në fuqinë punëtore janë të mëdha.

Opinion

30/09/2013 21:43

Në shumë vende, debatet publike për barazi gjinore fokusohen kryesisht në qasjen e grave në pozitat kryesore dhe ofrimin e mundësive për zhvillim të shpejtë në karrierë.

Por, tavani është vetëm një pjesë e vogël e këtij problemi. Çështja më kryesore është nëse gratë i kanë mundësitë e njëjta ashtu si meshkujt për të marrë pjesë në tregjet e punës. Me fjalë të tjera, a u është dhënë grave mundësia që të kontribuojnë me potencialin e tyre maksimal në zhvillimin dhe prosperitetin global ekonomik?

Fatkeqësisht, studimi i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar, “Gratë, Puna, dhe Ekonomia” tregon që (përkundër disa përmirësimeve) përparimi drejt arritjes së barazisë në fushën e pagesave ka ngecur. Ky është një lajm i keq për të gjithë, sepse kjo ngecje përkthehet në rritje ekonomike më të ulët – në vlerë prej 27 % të BPV për kokë banori në disa shtete.

Gjithandej botës, numri i grave në fuqinë punëtore mbetet shumë më i ulët se ai i meshkujve. Vetëm gjysma e grave në moshë për punë janë në marrëdhënie pune. Gratë kryejnë shumicën e punëve pa pagesë, dhe kur ato punë paguhen, atëherë ato janë të mbipërfaqësuara në sektorin joformal dhe ndër komunitetet e varfëra. Gratë vazhdojnë të paguhen më pak se meshkujt për punën e njëjtë edhe në vendet e zhvilluara të OECD’së, ku hendeku gjinor mesatar i pagës është rreth 16 %. Çrregullimet dhe diskriminimet në tregun e punës, në shumë vende, kufizojnë mundësitë e grave për paga të barabarta dhe ngritjen në pozita më të larta.

Fitimet e mundshme nga rritja e përqindjes së grave në fuqinë punëtore janë të mëdha. Në Egjipt, për shembull, nësë numri i punëtorëve gra do rritej në nivelin e njëjtë me meshkuj, atëherë BPV do mund të rritej për 34 %. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, BPV do rritej për 12 %, në Japoni për 9 %, dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 5 %. Sipas një studimi të fundit të bazuar në të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, nga 865 milionë gra në tërë botën, të cilat do mund të kontribuonin në mënyrë më aktive në ekonomitë e tyre, 812 millionë jetojnë në vendet e shteteve në zhvillim e sipër.

Rritja e nivelit të pjesëmarrjes së femrave në tregun e punës ndikon në performancën ekonomike përmes një numrit të mënyrave. Për shembull, të hyrat më të larta për gra rezultojnë në shpenzime më të larta të familjeve për arsimimin e vajzave – një parakusht themelor për rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme ekonomike. Punësimi i grave në baza të barabarta me meshkujt u ofron kompanive numër më të lartë të punëtorëve të talentuar, duke rritur kreativitetin, inovacionin dhe produktivitetin brenda kompanisë.  Dhe për fund, në vendet e zhvilluara, proporcioni më i lartë i grave në fuqinë punëtore mund të ndihmojë që të kundërveprojë ndikimin e zvogëlimit të fuqisë punëtore dhe të zvogëlojë shpenzimet e një popullate në vjetrim e sipër.

Pra, çka e përcakton hendekun e pabarazisë dhe mungesën e progresit? Diskriminimi legal, rregullativ dhe social kundër grave në shumë shtete ende i parandalon ato që të kërkojnë punësim me pagesë në sektorin formal të ekonomisë. Si pasojë, gratë dominojnë në sektorin joformal, aty ky vendet e punës  në shumicën e rasteve janë të përkohshme dhe pagat janë të ulëta. Për më shumë, sistemet e taksave dhe programet e mirëqenies në shumë shtete janë të dizajnuara në mënyra që dekurajojnë gratë për të punuar.

Duke u bazuar në këtë sfond, taksat qeveritare dhe politikat e shpenzimeve buxhetore, si dhe rregullimi i tregut të punës, duhet të reformohen për të ndihmuar nxitjen e punësimit të grave. Për shembull, vendosja e taksave individëve në vend të familjeve (në shumë shtete vendoset taksë më e lartë për punëtorin e dytë brenda familjes), do të inkurajonte gratë për të kërkuar punë. Ndihmesë tjetër do të ishte lidhja e përfitimeve të mirëqenies sociale me pjesëmarrjen në tregun e punës, trajnime apo në programet për treg aktiv të punësimit. Po ashtu, ndihmesë mund të jënë edhe kujdesi cilësor dhe financiarisht i përballueshëm për fëmijë dhe mundësitë më të mëdha për pushim të amësisë dhe të atësisë. Në Brazil, për shembull, proporcioni i grave në fuqinë punëtorë është rritur dukshëm gjatë 20 vjetëve të fundit, nga 45 % në gati 60 %, duke iu falënderuar pjesërisht politikave të favorshme familjare.

Këta janë vetëm disa shembuj. Shumë më shumë mund të përmirësohet. Gratë përfitojnë kur zbatohen aranzhmane fleksibile të punës dhe kur barrierat në mes të kontratave me orar të plotë dhe të pjesshme zvogëlohen, ashtu siç ka bërë Holanda në mënyrë të suksesshme. Në vendet në zhvillim, qasja në ujë dhe sistemet më të mira të transportit në rajonet rurale mund të ndihmojnë gratë që të menaxhojnë më mirë kohën e tyre. Respektimi i të drejtave të barabarta të pronësisë dhe trashëgimisë mund të ndikojnë në rritjen e qasjes së grave në kredi dhe në burime tjera produktive. Po ashtu, ngritja e vetëdijes për të drejtat ligjore në përgjithësi do të ndihmonte në reduktimin e diskriminimit.

Disa nga këta hapa janë ndërmarrë viteve të fundit, por tani është koha të fillojë komplet procesi. Ne i thërrasim politikëbërësit që të veprojnë dhe të zbatojnë politikat që kanë për qëllim largimin e pengesave të cilat bllokojnë pjesëmarrjen e grave fuqinë punëtore. Ne në FMN do të kryejmë pjesën e punëve tona përmes përmirësimit të analizave të efektit ekonomik të pabarazisë gjinore dhe do punojmë me shtetet tona anëtare që t’u mundësojmë grave të kontribuojnë plotësisht në rritjen ekonomike dhe prosperitetit global.

Posaçërisht tani, me rritjen e paqartësive rreth rritjes ekonomike në të ardhmen në shumcën e vendeve të botës, politikat që inkurajojnë gratë sa më shumë t’i futen tregut të punës, do të ndihmojnë shumë. Gratë janë gati. Ato kanë gatishmëri dhe aftësi. Besoni fjalëve të mia për këtë.

Christine Lagarde është Drejtoreshë Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

(Të drejtat autoriale: Project Syndicate/Institute for Human Sciences, 2013, 
www.project-syndicate.org. lajmi.net është anëtar i rrjetit të Project Syndicate.)