Gramoz Vokrri: Agim Ademi me largoi nga FFK-ja për shkak se e kundërshtova

Djali i Fadil Vokrrit, Gramozi është larguar nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).

Sport

07/03/2019 18:36

Djali i legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, Gramozi ka reaguar në lidhje me largimin e tij nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Në një reagim nëpërmjet llogarisë së tij në Facebook, djali i legjendës kosovare ka thënë se ka 45 ditë që nuk është pjesë e federatës, gjersa është shprehur i befasuar me mbajtjen e konferencës nga ana e FFK-së.

Gramoz Vokrri ka thënë se ai u largua nga federata, pasi nuk është pajtuar me abuzimet që i ka bërë Agim Ademi.

Sipas tij, Kryetari i FFK-së kishte bërë disa mostransparenca financiare në vazhdimësi, andaj ai nuk ka mundur të qëndrojë duarkryq.

Lajmi.net ka kontaktuar me të parin e FFK-së, Agim Ademin, pas statusit të lëshuar nga Gramoz Vokrri.

Ademi ka thënë se ai e ka sqaruar situatën e tij sot në konferencën e mbajtur për media, gjersa ka shtuar se ai nuk merret me sqarimet e djalit të legjendës, Fadil Vokrri.

“E kam sqarua sot në konferencë për media, nuk më interesojnë sqarime e tij, nuk hyjë në debate të tilla”, ka thënë shkurtazi Agim Ademi për lajmi.net.

Statusin e plotë dhe pa ndërhyrje të Gramoz Vokrrit mund ta lexoni më poshtë rreth largimit të tij nga FFK:

Reagim:

Të nderuar miq, dashamirë dhe sportdashës,

Fillimisht, jam jashtëzakonisht I befasuar me mbajtjën e një konferencë për media rreth shkarkimit tim. Besoj fuqishëm që interesi i futbollit kosovar është më i madh sesa interesat personale duke perfshi edhe vetën në këtë parim.

Ka mbi 45 ditë që nuk jam pjesë e strukturave të FFK-së pas një periudhe 6 mujore pa kontratë e as pozitë… Unë kam heshtur.

Largimin tim nga Federata e Futbollit të Kosovës nuk e kam bërë publik për opinion, sepse nuk kam dashur që në FFK të këtë turbulencë, por kam dashur ta ruaj autoritetin, integritetin dhe reputacionin e Federatës së Futbollit të Kosovës të cilin me shumë mund e ngriti Fadil Vokrri dhe bashkëpuntorët e tij të vërtetë, ndërsa Agim Ademi po e shkatërron.

Unë poashtu kam heshtur edhe atëherë kur ende pa përfunduar varrimi dhe e pamja për babain, tashmë kryetari i FFK-së, Agim Ademi kishte filluar mbledhjen e nënshkrimeve për postin që ka.

Ai kishte premtuar se do të vazhdoj vizionin dhe frymën e Fadil Vokrrit, por sot me keqardhje ju them se FFK është shëndrruar në përndjekës të bashkëpuntorëve të Fadil Vokrrit, dhe për mua më shqetësues ishte fakti se ai pretendonte që në rast mospajtimi do i shkarkonte te gjithë. Mos transparenca financiare dhe tendencat ne referim nuk kan qen asnjehere vizioni i Fadil Vokrrit për futbollin e Kosovës.

Agim Ademi me largoi nga FFK-ja për shkak se e kundërshtova, nuk u pajtova me abuzimet dhe mënyrën e udhëheqjes së tij.

Sinqerisht më vjen keq për nivelin e disa anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv dikur “miq-bashkpuntorë” të babit tim, për nënshtrimin dhe nënçmimin që ata po i’a bëjnë vetës dhe Federatës se Futbollit të Kosovës, të rreshtuar krah Agim Ademit.

Pavarësisht ku do të më dërgojnë dallgët e jetës, në Federatë apo diku tjetër, zemra ime dhe familjes time do të rrah bashk me zemrën e futbollistëve të Kosovës, për të përjetuar emocionet që ata na sjellin të gjithëve.

Me respekt dhe fair play

Gramoz Vokrri. /Lajmi.net/