Google ka të drejtë

Një gjykatë në New York e ka hedhur poshtë padinë ndaj Google të cilën një shoqatë e shkrimtarëve e kishte ngritur kundër gjigantit të internetit për shkak të kopjimit të miliona librave dhe krijimit të një mega-biblioteke online pa kërkuar pëlqimin e tyre.

ShowBiz

15/11/2013 14:50

Gjykata e Qarkut në New York e ka hedhur poshtë padinë ndaj Google të cilën një shoqatë e shkrimtarëve e kishte ngritur kundër gjigantit të internetit për shkak të kopjimit të miliona librave dhe krijimit të një mega-biblioteke online pa kërkuar pëlqimin e tyre.

Gjykatësi Denny Chin e ka pranuar arsyetimin e Google se skanimi i më shumë se 20 milionë librave, dhe mundësimi i leximit të pjesëve të librave nga kërkimi online, konsiderohet “përdorim i drejtë” me kriteret e ligjit për të drejtat autoriale në SHBA.

Shkrimtarët kanë kërkuar 750 dollarë për secilin libër të skanuar pa autorizim në projektin kontrovers Google Books. Nëse gjykata do të vendoste në favorin e tyre, Google do të duhej të paguante 3 miliardë dollarë.    

Në vendimin e tij, gjykatësi tha se biblioteka masive ua lehtëson punën studentëve, profesorëve, hulumtuesve dhe publikut të gjerë për t’i gjetur librat, njëkohësisht duke ruajtur “konsideratat respektuese” ndaj të drejtave autoriale.

“Digjitalizimi është transformues dhe ndikon në rritjen e shitjes së librave”

“Sipas mendimit tim, Google Books ofron përfitime të rëndësishme shoqërore”.

“E gjithë shoqëria përfiton”.

 

A.M.