GNK parasheh qeveri teknike në Maqedoni

Raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizës tregon për seriozitetin me të cilin Brukseli e sheh situatën në Maqedoni. Sipas përfaqësuesve të kësaj organizate, raporti ka të bëjë edhe me rreziqet e sigurisë dhe krizën politike si dhe me faktin se Kumanova është ngjarje e cila ka shkaktuar më shumë viktima në rajon në dekadën e kaluar.

Lajme

11/07/2015 08:33

Marko Prelec, një nga përpiluesit e Raportit, thotë se ndihma e faktorit ndërkombëtar është e patjetërsueshme që për reformimin e shpejtë dhe thelbësorë të institucioneve në Maqedoni, si hap i domosdoshëm që vendi të normalizohet.

“Gjëja e vetme që mendojmë se institucionet do të fillonin të punojnë në mënyrë përkatëse është prania e faktorit ndërkombëtar, të ashtuquajturit – dëshmitarë ndërkombëtarë. Ata do të ndihmonin popullin në Maqedoni dhe institucionet e Maqedonisë që ta shkatërrojnë sistemin e korrupsionit dhe kriminalitetit që u zbardhën me përgjimet”, tha Marko Prelev, bashkautor i raportit të GNK për Maqedoninë.

Në raport, GNK-ja ofroi edhe propozim-zgjidhje për dalje nga kriza; formimin e Qeverisë kalimtare e cila do t’i zbatonte reformat deri në zgjedhje, të cilat nuk duhet të mbahen pa u përfunduar plotësisht ato reforma. Paralelisht, të formohen komisione parlamentare që do t’i ndiqnin reformat, por edhe do ta hetonin përmbajtjen e bombave. Sipas analistit Sem Vaknin, raporti i GNK-së qëndron mbi dy supozime; se Qeveria e Gruevskit në format të tillë nuk mund të realizojë zgjedhje të drejta dhe se thellimi i krizës do të rezultonte me konflikt ndëretnik. Sipas tij, ngjarjet e Kumanovës kanë treguar se nuk ka rrezik për konflikte të motivuara etnikisht. Nga ana tjetër, ai vlerëson se presioni për Qeveri kalimtare është në duart e Perëndimit, edhe pse BE-ja për momentin ka çështje më prioritare refugjatët nga Lindja e Mesme.

“Bashkimi Evropian, Perëndimi dhe SHBA-ja nuk mund të lejojnë destabilizim e Maqedonisë për momentin. U nevojitet stabilitet, dhe nëse çmimi është sakrifikimi i përkohshëm i demokracisë në atë vend, për të arritur vend të qëndrueshëm – nën kontrollin e fortë, të centralizuar, vendi që mund të bashkëpunojë me agjencitë e inteligjencës, të bashkëpunojë me NATO-n, për ushtrinë, për kontrollin e kufirit – perëndimi do ta paguajë çmimin”, u shpreh Sem Vaknin, analist.

Raporti i publikuar dje është i pari pas katër vitesh i kësaj organizate. GNK-ja, aktiviteti kryesor i të cilës është paralajmërim i konflikteve të mundshme, ishte e pranishme në Maqedoni ishte deri në vitin 2008. Ende konsiderohet si organizata joqeveritare më me ndikim në qendrat perëndimore të vendimmarrjes. Alsat-M