Glauk Konjufca pret në takim Elisa Spiropali, theksohet thellimi i partneritetit Kosovë–Shqipëri
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim homologen e tij nga Republika e Shqipërisë, Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali. Takimi u zhvillua në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Republika e Kosovës dhe Republika…
Lajme
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim homologen e tij nga Republika e Shqipërisë, Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali.
Takimi u zhvillua në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, me theks të veçantë në thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Gjatë bisedës, ministrat u përqendruan në avancimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik, intensifikimin e koordinimit në fushën e politikës së jashtme, si dhe forcimin e kapaciteteve diplomatike dhe përfaqësimit ndërkombëtar të të dy shteteve. Në këtë kuadër, u vlerësua progresi i arritur përmes mekanizmave ekzistues të bashkëpunimit dhe u theksua rëndësia e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të përbashkëta.
Konjufca shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe konsekuente të Shqipërisë në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës. Një theks i veçantë iu kushtua mbështetjes së Tiranës zyrtare për avancimin e integrimit evropian të Kosovës, duke filluar nga shqyrtimi i aplikimit për anëtarësim në Bashkimi Evropian, drejt fitimit të statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim.
Po ashtu, gjatë takimit u diskutua koordinimi i ngushtë për anëtarësimin e Kosovës në Këshilli i Evropës, afrimin drejt Partneritetit për Paqe në kuadër të NATO, si dhe rritjen e rolit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
“E ardhmja jonë, ashtu si e kaluara, do të jenë të lidhura përgjithmonë. Sa më i fortë të jetë bashkëpunimi ynë, aq më e sigurt do të jetë rruga jonë drejt Bashkimit Evropian dhe drejt realizimit të aspiratave të kombit shqiptar”, u shpreh ministri Konjufca.
Të dy ministrat riafirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës, në shërbim të interesave strategjike të dy shteteve, stabilitetit rajonal dhe perspektivës së tyre evropiane dhe euroatlantike./Lajmi.net/