Gjyqtari amerikan rikthehet me mision për ta zgjidhur ngërçin politik

Gjyqtari amerikan, Robert Carolan do të rikthehet përkohësisht në Gjykatë Kushtetuese të Republikës së Kosovës, derisa të trajtohet një lëndë që pritet ta adresojë presidentja Atifete Jahjaga. 

Lajme

26/09/2014 08:44

Kjo lëndë, të cilën presidentja Jahjaga pritet t’ia dërgojë Gjykatës Kushtetuese, sipas Kohës Ditore, ka si qëllim zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar që prej zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit.

Një burim i kësaj gazete ka thënë se presidentja Jahjaga e ka kuptuar letërkëmbimin me shefen për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, në atë mënyrë që dekretimi pa propozim nga Kuvendi mund të bëhet vetëm për gjyqtarët që u vazhdohet mandati, por jo edhe për ata që zgjidhen tash.     

Largimi i amerikanit Carolan e ka lënë Kushtetuesen pa kuorum për të trajtuar çështje të karakteri politik, ndërsa sipas burimeve ndërkombëtare të Kohës Ditore, presidentja nuk ka qenë e gatshme të nxirrte dekret për gjyqtarin e ri më të cilin do të zëvendësohej Carolan.