Gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it duhet t’iu hiqet imuniteti

Betim Musliu, nga instituti për Drejtësi, mendon se prokurorëve dhe gjyqtarëve të Misionit për Sundim të Ligjit duhet t'iu hiqet imuniteti.

Lajme

28/10/2014 23:57

Në një bisedë për Interaktiv të KTV-së, Musliu, duke komentuar raportimet e fundit për përfshirjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX në raste korruptive, ka thënë se ky lajm ka tronditur opinionin publik.

“Është tejet shqetësuese, sepse po flasim për një mision të sundimit të ligjit i cili ka ardhur në Kosovë të rregullojë sundimin e ligjit, i cili është problematik tek ne. Ajo çka kemi parë, prokurorët dhe gjykatësit nuk e kanë kryer detyrën e tyre në masë të madhe. Praktikat e instaluara nga këta prokurorë dhe gjykatës që janë evropianë, por që nuk kanë sjellë me vete praktikat evropiane, e kanë tronditur opinionin pas këtyre publikimeve”.

“Duhet t’iu hiqet imuniteti sepse në Kosovë imuniteti iu ka mundësuar një paprekshmëri, dhe u ka mundësuar që ata të bëjnë çfarë të duan dhe të mos kenë as edhe një pasojë të vetme”.

“Pasi tu hiqet imuniteti, ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të dyshuar duhet niset procedura e gjykimit”.

Musliu mendon se edhe misioni i UNMIK-ut, por edhe ai i EULEX-it kanë dështuar në misionet e tyre. Ai thotë se këto dy misione kanë instaluar një praktikë të mbrapshtë në Kosovë.

“Skandalet e vazhdueshme që e kanë përshkruar misionin nuk kanë të ndalur dhe veprimtaria e EULEX-it ka devijuar totalisht nga misioni i sundimit të ligjit”.

“UNMIK dhe EULEX kanë ndërtuar një praktikë të mbrapshtë, sepse është përzier politika me sundimin e ligjit”.

“Përkundër spektakleve që janë bërë në disa raste, ato janë përmbyllur me dështime sepse nuk ka pasur vendime të formës së prerë”, ka thënë Musliu për KTV.