Gjyqtarët s’heqin dorë nga greva deri në realizimin e kërkesave

Gjyqtarët e gjykatave themelore në gjithë Kosovën nga sot kanë hyrë në grevë.

Lajme

03/03/2015 23:51

Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Zenel Leku tha për Interaktiv të KTV-së se ata janë të vendosur të qëndrojnë në grevë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Ata kërkojnë ose rritjen e pagave për 25 për qind, ashtu siç u është premtuar ose dhe shtesat prej 200 eurosh për rrogën bazë për çdo gjyqtar.

“Gjyqtarët e gjykatave themelore në gjithë Kosovën sot kanë filluar grevën e cila është paralajmëruar më 29 janar të këtij viti”.

“Ne kemi kërkesë për rritjen e pagave për 25 për qind. Në vitin 2014 qeveria ka vendosur që pagat e gjyqtarëve të rriten për 25 për qind. Mbas tre ditësh e ka anuluar këtë vendim, që të mos u rritet pagat gjyqtarëve”.

“Vendimi është marrë pa i pyetur personat kompetentë në Këshillin Gjyqësor. Ne kemi kërkuar që ky vendim të rishqyrtohet edhe njëherë”.

“Nëse nuk rriten pagat, të realizohet shtesa prej 200 euro, sipas marrëveshjes së arritur mes Këshillit Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë”.

“Jemi neglizhuar nga institucionet prandaj jemi detyruar të hyjmë në grevë”

“Ne jemi të vendosur që greva të mbahet deri sa të na realizohet njëra prej kërkesave, ose rritja prej 25 për qind ose shtesa prej 200 eurove”, tha Leku, transmeton lajmi.net.