Gjyqi më i madh i kokainës në Gjermani lidhet me shqiptarët

Prokuroria e Landit në Bavari ka bërë gati aktakuzën për një nga proceset më të mëdha gjyqësore të kokainës në Gjermani. Priten rezultate dhe përparime në luftën kundër trafikut të drogës.

Bota

13/02/2019 09:11

Ka të ngjarë që ky të jetë gjyqi më i madh i kokainës në historikun e Republikës Federale Gjermane. Prokuroria e Landshut-it ka përpiluar aktakuzën kundër tetë meshkujve. Hetuesit supozojnë se të pandehurit janë pjesë e një rrjeti kontrabandistësh që mendohet të kenë kontrabanduar në Gjermani rreth dy tonë kokainë gjatë periudhës midis shtatorit 2017 dhe prillit 2018. Ata akuzohen për tregti të palejuar me lëndë narkotike. Me sa duket kanë arritur të kapin kapo të nivelit të mesëm menaxhues të rrjetit ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike. Kjo del në pah nga dokumentet e gjykatës, të cilat i posedojnë gazetarë të NDR-së, BR-së dhe “Süddeutsche Zeitung”.

Policia e zbuloi krimin rastësisht në shtator 2017, kur në disa supermarkete të Bavarisë së Ulët ishin dërguar kuti me banane, në të cilat punëtorët e supermarkteve kishin gjetur paketa me kokainë. Hetuesit gjurmuan itinerarin e bananeve dhe konstatuan se në depot, ku ato rrinin për t’u stazhionuar kishte pasur disa vjedhje. Në këto depo ruhen banane dhe lloje të tjera frutash prej ku ato shpërndahen në Gjermani dhe Europë. Me ndihmën e një përgjimi shumë të ndërlikuar hetuesit kishin arritur kështu të zbulonin trafikantët. Në operacionet hetuese dhe zbuluese kishin marrë pjesë deri në 500 nëpunës të policisë, doganave dhe  hetuesisë.

Bandat shqiptare vidhnin

Hetimet zbuluan se kokaina kishte hyrë në kutitë e bananeve në Ekuador dhe prej andej dërgohej në adresë të një kompanie me seli në Gjermani. Vjedhësit hynin më pas në depot ku ruheshin frutat dhe vidhnin aty kokainën, deri më 320 kg për çdo vjedhje.

Bandat e vjedhësve vinin enkas nga Shqipëria. Gjatë periudhës së survejimit të depove, Enti Bavarez i Kriminalistikës kishte regjistruar gjithsej tetë vjedhje në depo staxhionimi në Bavari, Hessen, Nordrajn-Vestfali dhe në landin e Zarës.  Videot e përgjimit tregojnë se disa nga vjedhësit kishin qenë të armatosur.

Grupi kontrollohej dhe drejtohej, me sa duket, nga Hamburgu, ku njëri prej të akuzuarve kryesorë, Dario L. (21 vjeç), kishte marrë një banesë me qira. Në këtë banesë hetuesit më vonë gjetën edhe fletëngarkesa për banane. L. supozohet të jetë marrë me logjistikën e bandës, kurse Klajdi D. (25 vjeç) merrej me organizimin e vjedhjeve. Udhëheqës i grupit mendohet të ketë qenë 40-vjeçari shqiptar, Alberto K. Hetuesia i kishte survejuar pjesëtarët e bandës teksa studionin depot e staxhionimit ku do të bënin vjedhjet. Veç kësaj ishin përgjuar edhe biseda nga takimet e anëtarëve të bandës në një kafene të Hamburgut.

Në prill 2018 policia gjermane vendosi të kryejë goditjen e parë në mbarë Gjermaninë. U  kontrolluan apartamente banimi në Ahrensburg, Hamburg dhe Hannover, ku u gjetën dy revole dhe mbi 30 mijë euro cash. Katër anëtarë të bandës  u dënuan në dhjetorin e vitit të kaluar në Hamburg, në një gjyq më vete, pasi ishin kapur si korrierë të drogës teksa transportonin 180 kg kokainë nga Hamburgu në Holandë. Ata kanë marrë dënime me nga disa vjet burg, por prokuroria e Hamburgut ka paralajmëruar se do ta dërgojë vendimin në Apel, sepse masa e dënimit kishte qenë shumë e ulët.

Sukses i rëndësishëm për policinë gjermane

Tetë të akuzuarit në Landshut janë aktualisht në paraburgim. Procesi gjyqësor konsiderohet i veçantë edhe për faktin se ndër të akuzuarit ka edhe njerëz që kanë pasur rol drejtues. Peter Keller nga Enti i Krimeve Doganore flet për një “sukses që ka impresionuar edhe qarqet e trafikantëve”. Ishte “një rrjet vital, i cili tani është i shqetësuar për shkak të sukseseve hetimore”. Keller megjithatë pret që banda t’i zëvendësojë anëtarët e arrestuar.

Persona të tjerë që kanë të bëjnë me këtë grup, të cilët gjenden në Shqipëri, në Holandë dhe në Amerikën e Jugut, nuk janë kapur ende. Edhe në vende të tjera ka pasur gjetje kokaine në kuti bananesh që vinin nga Ekuadori, njëri syresh ka qenë në mars të vitit të kaluar në portin e Durrësit. Kryetari i grupit hetimor të Entit Bavarez të Kriminalistikës, Joerg Beyeser, i tha NDR-it se hetimet vazhdojnë. “Ne po përpiqemi tani që të gjejmë personat që qëndrojnë pas bandës dhe jemi duke bashkëpunuar mjaft intensivisht në nivel ndërkombëtar”, tha ai. Tani do të vendosë gjykata se kur do të fillojë procesi gjyqësor kryesor.

Mbrojtjen e të akuzuarve e ka marrë përsipër avokati Hubertus Werner. Ai tha se procesi do ta tregojë se sa  të qëndrueshme janë provat dhe se pret që procesi të jetë i gjatë dhe i komplikuar. “Mendoj se, nisur nga numri i madh i të akuzuarve dhe avokatëve, do të jetë e vështirë të sqarohet e gjithë çështja”./DW

Bazuar në artikullin e Benedikt Strunz, Jan Lukas Strozyk, Volkmar Kabisch (NDR), Josef Streule (BR)- ash