Gjykimi ndaj “Kobrës”, prokurorja: Faturat shkaku që çoi deri te konflikti tragjik
Pikërisht për shkak të faturave filloi edhe konflikti, tha prokurorja speciale Florie Shamolli në shqyrtimin gjyqësor ndaj Dibran Hoxhës- Kobra, Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit lidhur me akuzat për vrasjen e Visar Cengut, më 3 janar 2023, në lokalin “Kobra City” në Prizren. Ndërkaq, të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, njëjtë…
Lajme
Pikërisht për shkak të faturave filloi edhe konflikti, tha prokurorja speciale Florie Shamolli në shqyrtimin gjyqësor ndaj Dibran Hoxhës- Kobra, Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit lidhur me akuzat për vrasjen e Visar Cengut, më 3 janar 2023, në lokalin “Kobra City” në Prizren.
Ndërkaq, të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, njëjtë siç kishin bërë edhe në seancën fillestare të mbajtur në mars të këtij viti.
Prokurorja Florie Shamolli tha se mosmarrëveshja dhe konflikti në mes të viktimës dhe të akuzuarve ndodhi për shkak të faturave.
“Nga provat, të cilat do të administrohet në shqyrtimin kryesor në mënyrë të qartë do të perceptohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen sipas aktakuzës në Prokurorinë Speciale. Meqenëse më datën 03.01.2023, në mesin e shumë vrasjeve të cilat po ndodhin në Kosovë, ndodhi edhe kjo vrasje, ku mbeti një viktimë Visar Cengu. Pikërisht nga plagët të cilat i mori nga tani i akuzuari Dibran Hoxha. Kjo ngjarje pikërisht ndodhi në afërsi të lokalit të tij, lokalin Kobra City, i cili gjendet në rrugën magjistrale Prizren-Zhur, pas disa mos marrëveshjeve në mes të akuzuarit, dëshmitarit dhe viktimës. Pasi që të njëjtit kishin ardhur në lokal dhe pas qëndrimit disa orë, ku ishin shërbyer me pije dhe ushqim, ndodhi një mosmarrëveshje për shkak të faturave dhe aty filloi konflikti, ku tani i akuzuari me armën e tij, të cilën e pati pa leje, shtiu dy herë mbi viktimën Visar Cengu, i cili nga plagët e marra nuk mund t’i rezistoj dhe arriti deri te hemorragjia dhe fatkeqësisht ndërron jetë”, tha Shamolli.
Shamolli potencoi se në bazë të provave materiale dhe personale të siguruara gjatë fazës së hetimeve rezulton se të akuzuarit kanë kryer veprat penale sipas akuzës.
Ajo u shpreh e bindur se “gjykata pas analizimit të çdo prove veç e veç, do të bindet se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen, do t’i shpallë fajtor dhe do t’i dënojë sipas ligjit”.
“Nuk e them unë këtë, por e thonë provat, të cilat prokuroria ka zhvilluar një hetim, ka marrë në pyetje një numër të madh të dëshmitarëve të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes ku disa nga ta janë edhe viktima… Por, prokurorja ka siguruar edhe prova të tjera materiale siç janë fotografime të ndryshme, marrja e CD-ve, raporte të obduksionit, raporte të ekzaminimeve, gjegjësisht mjekoligjore si dhe shumë raporte të tjera të përgjimit dhe nga përmbledhja e të gjitha këtyre, rezulton se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilën ngarkohen dhe besoj me bindje të plotë se gjykata, pas analizimit të çdo prove veç e veç, do të bindet se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen, do t’i shpallë fajtor dhe do t’i dënojnë sipas ligjit”, tha Shamolli.
Edhe të akuzuarit e tjerë Susuri, Vezaj, Mazreku, Badalli u deklaruan të pafajshëm.
“Jo”, “Nuk ndihem fajtor”…
Familjari i personit të vrarë në incidentin e janarit 2023, Behar Cengu tha se është ushtar dhe se armën nuk e përdorë “në vëllain e vetë”.
“Unë jam i dëmtuar…Nuk mund të qëndroj në këmbë. Më ka ik fëmija në moshën më të mirë… Unë jam ushtar qysh në të 90-tën e që vazhdoj edhe sot të punoj ushtar dhe kurrë nuk përdoret arma në vëllain e vet, njerëzit e vet. Ne jemi të përgatitur për të tjera gjëra”, tha Cengu.
Në shqyrtimin gjyqësor, i akuzuari Dibran Hoxha kërkoi që në lidhje me rastin të lajmërohen dëshmitarët e pranishëm në rastin e incidentit.
“Kanë qenë katër persona që janë lënduar atë natë, që unë kur kam hyrë brenda kam shkuar drejt e tek tavolina e tyre…Njëri ka qenë me ballë të ënjtur, e dinë edhe këta djemtë. Nëse e shohin këtë video le të vijnë edhe ata që të dëshmojnë se i kam pyetur a i njihni këta personat e Kukësit dhe a mund të më dërgoni nesër te familjet e këtyre. Kur jam futur brenda dhe i kam parë të thyer dritaret, i keni provat vetë se kanë qenë dritaret dhe gjithçka e thyer atje. Kam menduar që ata janë…U thashë ‘A jeni këta persona’, tha jo. Iu thashë a mundeni nesër pasdite të më dërgoni te shtëpia e këtyre. Nëse më ndjekin nëpërmjet mediave ata të vijnë këtu të dëshmojnë. E vetmja mundësi është, sepse nuk kam pasur kohë të marr numra apo diçka tjetër…Edhe të tjerë ka pasur të lënduar…Kanë qenë mbi 30 persona të pranishëm por shumica janë të martuar dhe nuk kanë dashur për shkak të përçarjes në familje. Ai është klub nate me femra”, u shpreh Hoxha.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktakuzë ndaj Dibran Hoxha, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, për vrasjen e një shtetasi të Shqipërisë në Prizren një vit më parë.
“Kobra”, akuzohet për vrasje të rëndë, armëmbajtje pa leje, pasi thuhet se nga koha e pacaktuar e deri më 3 janar 2023, në lokalin e tij ka mbajtur një pistoletë gjysmë-automatike, me një karikator me 13 fishekë, të cilin e ka përdorur për të kryer veprën penale, si dhe një pistoletë tjetër me një karikator me 8 fishekë.