Gjykatësit porositën të ruajnë veturat

Këshilli Gjyqësor i Kosovës urdhëron gjykatësit t'i ruajnë veturat zyrtare, pas serisë së djegieve enigmatike të tyre.

Lajme

23/03/2016 17:23

Aksionet e fundit për djegien e veturave zyrtare i kanë alarmuar drejtuesit e sistemit gjyqësor në vend. Nëpërmjet një emaili zyrtar të cilin e ka siguruar kallxo.com, kryetarët e gjykatave dhe stafi tjetër janë paralajmëruar që ta shtojnë vigjilencën e sigurisë e poashtu makinat të mos i parkojnë jashtë rrethojave të gjykatës.

I njëjti email përfundon me porosinë që rojet e sigurimit të gjykatave të shtojnë vigjilencën në aspektin e sigurisë.

Drejtori i këtij shërbimi Muhamet Kurtishaj ka pranuar ekzistencën e kësaj porosie përderisa ka sqaruar se kjo është vetëm një kërkesë për zbatuar në plotëni rregulloren e KGjK-së për përdorimin e automjeteve zyrtare.

“Është dërguar edhe shkak të sigurisë është me udhëzim që kerret me u parku në oborret e gjykatave”, ka thënë Kurtishaj.

I njëjti ka sqaruar se zyrtarët e gjyqësorit të cilët udhëtojnë me makina zyrtare nga një vend në vendin tjetër duhet që makinat t’i parkojnë në oborret e gjykatave.

Më 16 mars një veturë e gjykatës së Malishevës u dogj nga një sulm me molotovi, ndërsa të njëjtën ditë në Mitrovicë u dogj edhe makina e prokurorit special Ali Rexha.

Këtë ditë më vonë më 20  ndërtesa e gjykatës së Lypjanit u sulmua me koktej molotovi.