Gjykatat kanë 388 lëndë të korrupsionit, përfshihen edhe personat e nivelit të lartë

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka organizuar tryezë diskutimi për “Mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit dhe politikave në luftimin e korrupsionit” ku ka prezantuar edhe raportin e monitorimit të rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, i cili i referohet periudhës tre mujore korrik, gusht, shtator 2016.

Lajme

06/12/2016 11:25

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se në kuadër të javës kundër korrupsionit KDI sot do të flas për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit dhe politikave në luftimin e korrupsionit”, ku do të prezantohet edhe raporti “Trendët e trajtimit të rasteve të korrupsionit”.

Zëvendësambasadorja e Ambasadës amerikane në Prishtinë, Colleen Hyland ka thënë se anketat tregojnë se qytetarët nuk besojnë në drejtësi.

“Ende ka të dhëna se akuzat për korrupsion nuk përfundojnë kurrë dhe rastet zgjasin shumë. Asnjë nga rastet e raportuara për korrupsion nuk mund të ketë sukses pa sistem të funksionalizuar të drejtësisë”, tha Hyland, transmeton arbresh.info.

Nehat Idrizi kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka thënë se ngritja e kapaciteteve gjyqësore është prioriteti kryesor i tyre.

“Prioriteti i parë është rritja e besimit në publik që është në shkallë shumë të ulët. Korrupsioni është një fenomen shumë i dëmshëm i cili është i pranishëm edhe tek ne. Edhe pse prioritet për institucionet e drejtësisë, korrupsioni nuk mund të luftohet lehtë”, tha ai.

Sipas tij Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë hartimin dhe planin e veprimit për lëndë kundër korrupsionit.

“Me anë të këtij plani KGJK ka marrë obligime që në bashkëpunim me gjykata të paraqiten dobësitë e tanishme me rastin e pranimit të lëndëve të korrupsionit, identifikimin dhe ndarjen e tyre, dhe afatet kohore për këto lëndë. Tani kemi një pasqyrë për këto lëndë dhe e dimë se kush është përgjegjës për secilën”, tha ai duke shtuar se kanë filluar të dihen objektivat kryesore për këto lëndë.

“Për secilën lëndë janë duke ardhur rezultatet për përfundimin e tyre pasi që kemi rritur kapacitetet e gjyqtarëve sidomos në Gjykatën Themelore  të Prishtinës pasi që është më e madhja, e poashtu kemi rritur edhe kapacitetet në departamentin e krimeve të rënda”, tha ai.

Idrizi përmendi edhe performancën e gjyqtarëve ku tha se në bazë të performancës zyrtare ata do të mund të largohen nëse e kanë të ulët këtë përformancë.

“Kemi 388 lëndë të natyrës korruptive ku disa janë procedura e disa janë kryer. Këtu janë të përfshirë edhe persona të nivelit të lartë dhe shpresoj të kryhen sa më shpejt e të mos bëhet parashkrimi i tyre”, theksoi ai, transmeton arbresh.info.

Reshat Millaku, Kryeprokuror i PSRK-së ka thënë se pasi që ishte përcaktuar nga kryeprokurori i shtetit si koordinator për të gjetur këto raste për shkak të Liberalizimit të vizave kishte shënjestruar 33 raste të korrupsionit ku sipas tij prej tyre janë ngritur 23 aktakuza për krime të autorizuara si dhe për keqpërdorim të detyrës.

“Prioritet ka qenë hetimi i personave të nivelit të lartë dhe këtu ka pasur kësi lloj persona duke filluar nga kryetarët e komunave, ministrat, zv.ministrat. Të gjithë flasin për korrupsion por kur pyeten për rastet nuk di askush. Po hedhet faji gjithmonë tek prokuroria duke thënë se është e kapur nga shteti por në çdo rast që e kemi evidentuar jemi duke e trajtuar. Kemi pak prokurorë e shumë raste andaj po punojmë aq sa kemi kapacitet”, tha ai./arbresh.info.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë prezantimin e raportit  tre mujor “Trendet e Trajtimit Të Rasteve Të Korrupsionit”.

“Karakteristikë është se kemi më shumë raste të aktakuzave sesa raste të lëndëve të mbyllura ku kemi 58% ngritje te aktakuzave. Për korrupsion të nivelit të lartë janë 11 raste me 64 persona të akuzuar. Ajo që bënë shqetësim dëmtimi i buxhetit nga veprat penale ku është dëmtuar me rreth 2 milion  euro”, tha ai.