Gjykata Supreme rrëzon kërkesën e prokurores Gaka-Kurtishi për procesin zgjedhor në KPK
Gjykata Supreme ka vendosur të mos e pranojë ankesën e prokurores Merita Gaka-Kurtishi lidhur me procedurën e përzgjedhjes së Elza Bajrami-Kastratit si anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK). Prokurorja kishte kontestuar vendimin e KPK-së të datës 13 nëntor 2025, duke e vlerësuar procesin si të parregullt dhe në kundërshtim me ligjin. Ajo kërkonte anulimin…
Lajme
Gjykata Supreme ka vendosur të mos e pranojë ankesën e prokurores Merita Gaka-Kurtishi lidhur me procedurën e përzgjedhjes së Elza Bajrami-Kastratit si anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Prokurorja kishte kontestuar vendimin e KPK-së të datës 13 nëntor 2025, duke e vlerësuar procesin si të parregullt dhe në kundërshtim me ligjin. Ajo kërkonte anulimin e këtij vendimi, si dhe të njoftimit të 1 nëntorit 2025, si dhe detyrimin e KPK-së që të organizojë një proces të ri votimi, transmeton lajmi.net.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit, Gjykata Supreme arriti në përfundimin se padia nuk plotëson kushtet ligjore për t’u trajtuar. Sipas arsyetimit të gjykatës, çështja e ngritur nuk hyn në ato kategori për të cilat prokurorëve u njihet e drejta për të ushtruar ankesë të drejtpërdrejtë në këtë nivel gjyqësor.
Gjykata theksoi se rasti nuk ka të bëjë me emërim apo shkarkim të ndonjë prokurori dhe as me shkarkim të një anëtari të KPK-së, që janë të vetmet situata kur ankesa e një prokurori mund të shqyrtohet nga Gjykata Supreme.
Kolegji i Gjykatës Supreme e ka hedhur si të palejuar ankesën e M.K.-G., prokurore në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, të paraqitur kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, KPK. nr.1037/2025 i datës 13 nëntor 2025, lidhur me procesin e zgjedhjes së një anëtari të këtij Këshilli.
Prokurorja M.K -G., ka paraqitur ankesë në Gjykatë Supreme, kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, me propozim që të anulohet ky vendim si i kundërligjshëm, të anulohet njoftimi me nr. KZ-KPK, datë 1.11.2025, dhe të detyrohet KPK, që të anulojë tërësisht procesin e zhvilluar të zgjedhjeve dhe zgjedhjen e kandidatit të shpallur fitues, si dhe të rishpallë dhe organizojë një proces të ri zgjedhor, në pajtim të plotë me ligjin.
Gjykata Supreme e Kosovës, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe vlerësimit të lejueshmërisë së ankesës, ka gjetur se ankesa është e palejuar, pasi nuk kemi të bëjmë as me emërim, as me shkarkim të prokurorit dhe as me shkarkim të një anëtari të Këshillit Prokurorial, raste kur prokurorët kanë të drejtë të ankohen drejtëpërdrejtë në Gjykatën Supreme./lajmi.net/