Gjykata Speciale: S’ka kërkesë e as vendim publik që Thaçit t’i jepet leje për të marrë pjesë në varrimin e babait

Gjykata Speciale në Hagë ka bërë të ditur se aktualisht s’ka as kërkesë publike e as vendim publik të ndonjë gjyqtari në lidhje me mundësinë që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të mund të lirohet që të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, Haxhi Thaçi. Në një përgjigje të dhënë nga zëdhënësi i…

Lajme

18/03/2025 12:05

Gjykata Speciale në Hagë ka bërë të ditur se aktualisht s’ka as kërkesë publike e as vendim publik të ndonjë gjyqtari në lidhje me mundësinë që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të mund të lirohet që të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, Haxhi Thaçi.

Në një përgjigje të dhënë nga zëdhënësi i Speciales Michael Doyle tha se Specialja i publikon të gjitha dokumentet publike në ueb-faqen e gjykatës.

“Të gjitha dokumentet publike, duke përfshirë parashtresat nga Mbrojtja dhe vendimet e gjyqtarëve publikohen në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara. Aktualisht nuk ka kërkesa apo vendime publike për këtë çështje”, deklaroi ai.

Po ashtu Doyle tha se deri më tani “Dhomat e Specializuara kanë menaxhuar 13 vizita të mbikëqyrura në Kosovë për të paraburgosurit”.

“Të gjitha dokumentet publike, përfshirë parashtrimet prej Mbrojtjes si dhe vendimet e gjykatësve, janë të publikuara në faqen e internetit të DHSK-së. Aktualisht, nuk ka asnjë kërkesë apo vendim publik lidhur me këtë çështje. Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave në paraburgim që të bëjnë kërkesa tek gjykatësit kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Deri më tani, DHSK-ja ka menaxhuar 13 vizita nën mbikëqyrje në Kosovë për të paraburgosurit”.

Gjatë ditës së djeshme, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thanë se ish-presidentit Hashim Thaçi nuk i është lejuar pjesëmarrja në varrimin e babait që do të bëhet sot në ora 15:00 në varrezat e fshatit Burojë të Skenderajt.

Pas këtij njoftimi të OVL-UÇK’së pati reagime të shumta në drejtim të Speciales dhe vendimit në fjalë.

Përpos kësaj një reagim publik pati edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila e cilësoi këtë vendim të padrejtë dhe se për këtë njoftoi se do t’i shkruaj kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

Në Burojë të Skenderajt janë duke u bërë homazhe në nderim të figurës së Haxhi Thaçit, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi i cili varroset pasditen e sotme./Lajmi.net/