Gjykata Speciale nuk ka alternativë
Dështimi eventual i Kosovës që të themelojë dhomat e veçanta për trajtimin e rasteve të dyshuara për krime lufte do të kishte pasoja të mëdha, thonë analistët politik në Prishtinë.
Lajme
Sipas tyre, pasojat nuk përfundojnë vetëm me bartjen eventuale të çështjes në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ngase ato shtrihen edhe në rrafshe tjera.
Gjykata Speciale për krime lufte, pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1999 – 2000, raporton Evropa e Lirë.
Analisti Imer Mushkolaj mendon se me mosthemelimin e kësaj gjykate, Kosova do të tregonte se nuk është e interesuar t’i zbardhë këto pretendime.
Po ashtu, sipas tij, çështja më pas do të përfundonte në Këshillin e Sigurimit me çka do të mund të ri-fuqizohej ndikimi i OKB-së në Kosovë.
“Nëse nuk votohet krijimi i Gjykatës Speciale, institucionet dhe shteti i Kosovës do të dalë se nuk është i interesuar që t’i zgjidh krimet e pretenduara që kanë të bëjnë me të kaluarën”.
“Së dyti, natyrisht që paralajmërimet e disa prej anëtarëve të Këshillit të Sigurimit për bartjen e kësaj çështje në OKB do të ishte po ashtu me pasoja të mëdha për Kosovën, ngase do të ringjallej edhe njëherë Rezoluta 1244”, ka thënë Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte nuk ka alternativë.
Sipas tij, shteti i Kosovës ka treguar një zhvillim të ulët në sistemin e saj të drejtësisë, me çka edhe i ka krijuar parakushtet që ndërkombëtarët të krijojnë këto dhoma të specializuara për hetimin e dyshimeve të ngritura për krime lufte.
“Moskrijimi i kësaj gjykate do të konsiderohej si një lloj pranimi i fajësisë për të gjitha ato akuza të tmerrshme që janë duke u bërë kundër ish-UÇK-së dhe kundër disa personaliteteve të larta që kanë marrë pjesë në luftë”, ka thënë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Në vijim, Artan Muhaxhiri thotë po ashtu se injorimi i mesazheve që i vijnë Kosovës nga shtetet mike për themelimin e Gjykatës Speciale, do ta dëmtonte edhe imazhin e saj.
Me këtë veprim, sipas tij, Kosova do të dëshmonte se nuk është në gjendje të zbatojë një prej marrëveshjeve të arritura me Bashkimin Evropian.
“Mosthemelimi i kësaj gjykate do të ndikonte edhe në prishjen e raporteve me partnerët tanë kryesorë, gjë që është një hap krejtësisht i pafalshëm dhe që do të krijonte probleme shumë të mëdha në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe drejt institucioneve tjera ndërkombëtare”, ka deklaruar Muhaxhiri.
Megjithatë, krijimi i Gjykatës Speciale nuk po pritet aspak mirë nga një pjesë e subjekteve politike dhe organizatave të ndryshme, sidomos atyre që përfaqësojnë strukturat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë bërë me dije se do të organizojnë të mërkurën në Prishtinë një protestë përmes të cilës kundërshtojnë themelimin e Gjykatës Speciale.
Përfaqësuesi i këtyre organizatave, Xhavit Jashari u ka bërë të martën thirrje edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos e votojnë krijimin e kësaj gjykate.
“Do të kundërshtojmë fuqishëm krijimin e Gjykatës Speciale e cila mendojmë se është shumë e dëmshme jo vetëm për vlerat, jo vetëm për luftën, por është e dëmshme edhe për institucionet sepse e suprimon autonominë, suprimon shtetësinë, suprimon drejtësinë në Kosovë dhe mendojmë që ne duhet t’i fuqizojmë organet e drejtësisë që i kemi këtu”, ka deklaruar Jashari.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Task Forcës Speciale Hetuese në lidhje me pretendimet e shprehura në raportin e Këshillit të Evropës, për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë, Joao Sousa, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është në interesin e të gjitha palëve të përfshira që “pa vonesa tjera” të themelohen dhomat e veçanta të gjykatave dhe prokurorisë për t’i trajtuar rastet e dyshuara.
Ai ka rikujtuar se themelimi i këtyre dhomave të veçanta, apo siç njihet edhe me termin Gjykatë Speciale për krime lufte, rrjedh edhe nga letërkëmbimi ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe ish-përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton në prill të vitit 2014, të cilën në formë marrëveshjeje e kishte miratuar më pas Kuvendi i Kosovës.