Gjykata Speciale nuk e ka refuzuar lirimin me kusht të krerëve të UÇK-së

Gjykata Speciale nuk e ka refuzuar lirimin me kusht të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajme

01/12/2021 09:48

Në mediat kosovare mbrëmë e sot ka qarkulluar me të madhe një raportim se Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë ia kanë refuzuar lirimin me kusht krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Një gjë e tillë nuk qëndron pasi që dokumenti të cilit i janë referuar mediat kosovare, e më pas edhe ato serbe është thjesht version dhe parashtresë e Prokurorit të Specializuar  mbi kërkesën e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirim nga paraburgimi.

Më saktë, dokumenti të cilit mediat në Kosovë po i referohen si “vendim”, është përgjigje e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ndaj garancës së dhënë nga Policia e Kosovës për lirimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këto parashtresa, Zyra e Kryeprokurorit të Speciales hedh dyshime mbi aftësitë e Policisë së Kosovës duke aluduar se ajo është e paaftë për zbatimin e kushteve të lirimit, pavarësisht kapaciteteve të dëshmuara të kësaj force.

“Kjo është tani mundësia e katërt e PK-së për të demonstruar mjaftueshëm se është e gatshme dhe e aftë të zbatojë kushte të mjaftueshme lirimi. Se PK-ja ende ka dështuar ta bëjë këtë, është zbuluese, edhe pas disa hetimeve progresive të detajuara nga Mbrojtja e Veselit dhe tani nga gjyqtari i procedurës paraprake. Këto dështime të përsëritura për të siguruar informacion të mjaftueshëm janë në vetvete një tregues i kapacitetit aktual të PK-së për të zbatuar në mënyrë efektive kushtet e mjaftueshme”, thuhet në parashtresën e Kryeprokurorit Jack Smith.

Sidoqoftë, këto dhe të tjera argumente janë vetëm aludime të Prokurorit të Specializuar i cili është palë në procedurë dhe vendimi merret në instanca tjera.

Rëndom siç ndodhë në Gjykatën Speciale, vendimi për lirimin nga paraburgimi ose jo të një të akuzuari e merr Gjykatësi i Procedurës Paraprake që në këtë rast është Nicollas Guillou.

Vendimi merret vetëm pasi që palët të dërgojnë të gjitha parashtresat e nevojshme dhe dokumentet përcjellëse që vërtetojnë se kërkesa për lirim ose mos-lirim është e arsyeshme.

Varësisht nga vendimi i gjykatësit paraprak, njëra palë, mbrojtja apo prokuroria e apelon vendimin në Dhomat e Posaçme të Apelit që funksionojnë në kuadër të Gjykatës Speciale.

Më pas, kryetarja  e Gjykatës e cakton një panel të Apelit të përbërë nga disa gjyqtarë.

Palët sërish duhet të dërgojnë parashtresat e tyre me argumente se pse mendojnë se vendimi i parë i marrë nga gjyqtari paraprak është në shpërputhje me ligjet dhe rrethanat faktike.

Tek pasi që të jenë marrë të gjitha parashtresat dhe analizuar mirë rrethanat e rastit, Apeli merr një vendim pro apo kundër ankesës.

Në disa raste të caktuara siç edhe ka ndodhur në Gjykatën Speciale,  përkundër opinionit të shumicës së gjyqtarëve të Apelit, njëri nga ta mund të paraqes një opinion të ndarë i cili më pas mund t’i shërbejë një të akuzuari në rishiqimin tjetër të paraburgimit. /Lajmi.net/