Gjykata shkarkon “bukuroshen” e qeverisë tajlandeze

Gjykata Kushtetuese në Tajlandë e ka shkarkuar shefen e qeverisë, Yingluck Shinawatra, pasi që ka vendosur se kryeministrja ka shkelur pushtetin me veprimet e saj për ta transferuar shefin e Këshillit të Sigurimit Kombëtar në një post tjetër, në vitin 2011.

Bota

07/05/2014 17:04

Gjykata ka kërkuar shkarkimin e kryeministres dhe të nëntë anëtarëve të tjerë të kabinetit, të cilët sipas vendimit kanë përfituar nga transferimi i shefit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar në një pozitë tjetër.

Yingluck ka thënë se ajo dhe as partia e saj nuk kanë pasur përfitime personale nga ky transferim, porse do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi sic ka thënë ajo, ato janë të detyrueshme.

Kryeministrja Yingluck që prej gjashtë muajsh po përballet me protesta në Bangkok, të udhëhequra nga opozitari Suthep Thaugsuban, me kërkesën për rrëzimin e qeverisë.

Gazetarët kanë përcjellë hap pas hapi gjykimin gjashtëmujor të këtij rasti, edhe për faktin se Yingluck për mediat ishte një prej kryeministreve femra më të popullarizuara, me sic komentohej, pamjen e saj hipnotizuese.

Takimi i “bukuroshes” tajlandeze me presidentin amerikan Barack Obama, në nëntor të vitit 2012, ishte mbuluar kryesisht me titujt “kryeministrja hipnotizuese” apo “flirtimi i presidentit”.