Gjykata në grevë, Qeveria hesht

Nesër bëhen një javë që kur të gjithë gjyqtarët e Gjykatave Themelore të Kosovës kanë hyrë në grevë duke kërkuar rritje të pagave.

Lajme

10/03/2015 17:59

Zenel Leku, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, thotë për “KosovaPress” se nesër bëhen një javë që kur ka filluar grave e gjyqtarëve.

Sipas tij kërkesa e gjyqtarëve për rritje pagash rrjedh nga viti i kaluar kur kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, kishte marrë vendim për rritjen e pagave për gjithë kategoritë që paguhen nga buxheti i Kosovës.

Por, sipas tij, në atë kohë ish-kryeministri, pas katër ditësh, pati marrë një vendim tjetër me të cilin kishte ndryshuar atë paraprak me të cilin, nga rritja e pagave, ishin përjashtuar një kategori e zyrtarëve publik dhe në kuadër të kësaj kategorie hynin edhe gjyqtarët.

Leku tha se më 29 janar të këtij viti, kishin bërë një kërkesë të re, rritja e pagës për 25 për qind ose realizimi i shumës për 200 euro në emër të rrezikshmërisë që ishte premtuar vitin paraprak, por prapë nuk kishin gjetur mirëkuptim dhe kishin vendosur të hyjnë në grevë.

Ai thotë se gjyqtarët janë shumë të vendosur në realizimin e këtyre kërkesave, dhe kjo vendosmëri e tyre do të vazhdojë deri në realizimin e tyre.

Ndërkaq, edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka thotë se të ketë dëgjuar se edhe Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka marrë një qëndrim për ta përkrahur grevën e gjyqtarëve.

Sipas tij, është shqetësuese se askush nga institucionet nuk po merren me këtë çështje.

Në anën tjetër, avokati Nikë Shala shprehet se greva po ndikon negativisht pasi të gjitha seancat gjyqësore të cilat kanë qenë të caktuara si ndaj të akuzuarve që mbrohen në liri dhe atyre që ndodhen në paraburgim, për fat të keq këto lëndë janë shtyrë në kohë të pacaktuar. Por ai shpreson se organet relevante do t’i kenë parasysh të gjitha këto kërkesa dhe në një afat dhe kohë të arsyeshme do të vendosin në mënyrë meritore.

Ai po ashtu nënvizon se ka pasur klientë të cilët i mbron, ku lëndët e tyre janë shtyrë dhe palët janë të pakënaqura dhe me ankesa të shumta.

Ndryshe kërkesat e gjyqtarëve janë rritja e pagave për 25 për qind ose realizimin e shtesës në shumën e premtuar prej 200 euro në emër të rrezikshmërisë.