Të Infektuar: 4307

Të Shëruar: 2095

Të Vdekur: 94

Gjykata mund të ketë qenë në dijeni për publikimin e aktakuzës nga Prokuroria ndaj Thaçit dhe Veselit

20:08 | 30 Qershor 2020

Zyra e Prokurorit të Specializuar para gjashtë(6) ditësh ka paraqitur tek Dhomat e Specializuara një propozim-aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim/

Në këtë propozim-aktakuzë, e cila sipas njohësve të çështjeve juridike është konsideruar në kundërshtim me rregullat e brendshme të Gjykatës Speciale pasi është bërë publike ende pa u konfirmuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, përmenden emrat e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan lajmi.net.

E në këtë komunikatë të lëshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, përveç emrit të Thaçit e Veselit përmenden edhe “të tjerë”, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur për publikun. Ndërsa, përmendja e emrave të Thaçit e Veselit dhe përpilimi i kësaj komunikate ka ngjallur reagime të mëdha në opinion.

Avokati i akredituar i Gjykatës Speciale, Arianit Koci për lajmi.net është shprehur se deri më tani nuk ka qenë praktikë të publikohet aktakuza pa u konfirmuar.

Sipas tij, ky veprim i Prokurorit të Specializuar ka pasur efekt politik, por sipas tij është i menduar mirë.

“Deri më tani nuk ka qenë praktike që pa u konfirmuar aktakuza të bëhet publike se kush janë të akuzuarit. Besoj që ky veprim i Prokurorisë është i menduar mirë. Pa dyshim se një veprim i tillë ka pasur efekt politik”, shprehet Koci për lajmi.net.

Më tutje, Koci thekson se mbrojtja mund të shfrytëzojë këtë moment dhe të kërkojë sqarime se pse në këtë rast janë zbuluar emrat pa u konfirmuar aktakuza e në raste të reja jo.

“Sidoqoftë, mbrojtja e z.Thaçi duhet ta shfrytëzojë këtë moment dhe të kërkojë sqarime se pse ka ndodhur ky veprim.  Pse në këtë rast janë zbuluar emrat pa u konfirmuar aktakuza e në raste të reja jo!”, thotë Koci.

Më tutje, Koci thekson se Gjykata dhe Prokuroria mund të mbajnë mbledhje para konfirmimit të aktakuzës por procesverbalet mbahen konfidenciale.

Ai me këtë shprehet se don të thotë që nuk përjashtohet si mundësi që Gjykata të ketë qenë e informuar për këtë veprim të prokurorisë.

“Në anën tjetër, në këtë fazë, prokuroria dhe gjykata, në bazë të nenit 85, paragrafi 3, të Rregullorës së Procedurës dhe Provave mund të mbajnë mbledhje para konfirmimit të aktakuzës. Për këto mbledhje mbahet procesverbal konfidencial dhe ex parte, statusi i të cilit ndryshon kur nuk ekzistojnë më arsyet për statusin fillestar. Çfarë po dua të them? Nuk përjashtohet si mundësi që Gjykata të ketë qenë e informuar për këtë veprim të prokurorisë”, shprehet Koci në fund.

Ajo që pohon Koci lidhur me publikimin e kësaj aktakuze siç duket është në dijeni edhe vet Zyra e Prokurorit të Specializuar tek në komunikatën e publikimit të aktakuzës shprehet “Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat. Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim THAÇIT dhe Kadri VESELIT për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së.”

Kjo aktakuzë ndaj Thaçit dhe Veselit ka ndodhur vetëm 3 ditë para takimit të planifikuar Kosovë – Serbi në Uashington, gjë që bëri të anulohej i njëjti.

Menjëherë pas kësaj, Bashkimi Evropian ka intensifikuar përpjekjet për rifillimin e dialogut të udhëhequr nga Brukseli, por aktualisht nga palët nuk ka sinjale të qarta lidhur me këtë. /Lajmi.net/