Gjykata merr vendim për burrin që rrahu brutalisht tri vajzat në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 3 mijë euro gjobë të Leonard Vehapin, për akuzën se sulmoi fizikisht tri vajza para lokalit “Home Massage” në Prishtinë.

Lajme

01/10/2021 17:34

Vehapi akuzohet se në shtator 2021, para lokalit “Home Massage” sulmoi fizikisht të dëmtuarat M.Sh., S.M. dhe S.Ç. Këtë thuhet se e ka bërë pasi që fillimisht kishte pranuar shërbime të masazhit, e më pas kishte kërkuar shërbime seksuale, i cili shërbim ishte refuzuar, raporton BetimiPërDrejtësi.

Aktgjykimi në fjalë u shpall të premten nga gjykatësi Hanefi Jashari.

Fillimisht i akuzuari Vehapi u dënua me 6 muaj burgim, mirëpo me kërkesën dhe pëlqimin e tij, dënimi me burg iu zëvendësua në dënim me gjobë në shumë prej 3 mijë euro.

Sipas këtij aktgjykimi, të njëjtit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 3 shtatori 2021, e cila masë i ndërpritet.

Vehapi gjithashtu obligohet t’i paguajë shpenzimet procedurale dhe atë 30 euro për paushallin gjyqësor, 30 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit dhe 50 euro për ekspertizën mjeko ligjore.

Kurse, pala e dëmtuar është udhëzuar në konstest civil.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur në po të njëjtën ditë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bekim Kodraliu, i akuzuari Vehapi e ka pranuar veprën penale e cila i vihet në barrë.

Këtë pranim të fajësisë e ka mbështetur prokurori Kodraliu dhe mbrojtësi i të akuzuarit Vehapi, avokati Prek Kola, të cilin më pas gjykata e ka aprovuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 shtator 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Leonard Vehapi akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, nën paragrafin 1.4 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se më 1 shtator 2021, rreth orës 17:00, në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë, më saktësisht para lokalit “Home Massage”, i pandehuri me dashje që tu shkaktoj lëndime trupore, fizikisht i kishte sulmuar tani të dëmtuarat M.Sh., S.M. dhe S.Ç.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri pasi që kishte pranuar shërbime të masazhit nga e dëmtuara M.Sh. nga e njëjta kishte kërkuar edhe shërbime seksuale të cilat nuk i kishte pranuar. Aty thuhet se i pandehuri pas fjalosjes me të dëmtuarat largohet nga lokali dhe pas disa minutash kthehet vrullshëm dhe e godet të dëmtuarën M.Sh. me shqelma dhe grushte në kokë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri në ato momente ia kishte marrë nga dora një shkop të drurit të dëmtuarës S.Ç.  dhe të njëjtën e godet dy herë më të në pjesën e këmbës dhe shpinës duke e rrëzuar për tokë, ndërsa të dëmtuarën S.M.  e godet me grushte në fytyrë dhe kokë, ku të dyjave iu shkakton dëmtime të lehta trupore me dëmtim të përkohshëm të shëndetit.