Gjykata Kushtetuese ia refuzon kërkesën deputetes Donika Kadaj- Bujupi

Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë kërkesën e deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, drejtuar këtij institucioni, për vendosjen e masës së përkohshme ndaj aktvendimit të Gjykatës së Apelit, të  23 nëntorit 2015, raporton lajmi.net.

Lajme

10/03/2016 21:30

Aktvendimi është marrë me 29 shkurt, por është publikuar sot nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

Ky aktvendim e kishte vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 18 nëntorit 2015, që linte në paraburgim deputeten Kadja-Bujupi, e cila ishte arrestuar për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, raporton lajmi.net.

Sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar, me të cilin pretendohej se janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafët 1 dhe 2 te nenit 75 [Imuniteti] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Perveç kësaj, parashtruesja Donika Kadaj- Bujupi kishte kërkuar nga Gjykata që të  vendoste  masë të përkohshme, “me anë të së cilës asaj ( Donika Kadaj-Bujupi) menjëherë t’i ndërpritet masa e paraburgimit, deri në marrjen e një vendimi meritor për këtë çështje”.

1

Këtë kërkesë, deputetja e AAK-së e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese me 2 dhjetor 2015. Por me  22 dhjetor 2015, parashtruesja e kërkesës e informoi Gjykatën Kushtetuese se  Gjykata Supreme kishte  nxjerrë aktgjykim, me të cilin masa e paraburgimit ishte zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak, raporton lajmi.net.

Përveç kësaj, me 3 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese kishte mësuar se parashtruesja e kërkesës ka parashtruar kërkesë për mjet të jashtëzakonshëm juridik.

Ky fakt u konfirmua nga parashtruesja e kërkesës me 8 dhjetor. Por kërkesa për mjet të jashtëzakonshëm juridik kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit u vendos nga Gjykata Supreme me 12 dhjetor 2015.

“Kësisoj, Gjykata konsideron se që nga paraqitja e kërkesës për mjet të jashtëzakonshëm juridik, kërkesa për masë të përkohshme nuk ka më bazë për t’u vendosur nga Gjykata”.

Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë këtë kërkesë të deputetes Kadaj-Bujupi dhe njëkohësisht ia refuzoi kërkesën për masë të përkohshme./lajmi.net

2