Gjykata hungareze refuzon ekstradimin e Gruevskit

Gjykata e Budapestit ka refuzuar kërkesën e Maqedonisë Veriore për ekstradimin e ish-kryeministrit të saj, Nikola Gruevski.

Lajme

27/06/2019 13:11

Gjykata tha të enjten se kërkesa për ekstradim nuk mund të aprovohet pasi që sipas ligjit, njerëzit që marrin azilin nuk mund të ekstradohen në vendin nga ku kanë ikur, raporton AP.

Ish kryeministri, Gruevski iku nga Maqedonia Veriore nëntorin e vitit të kaluar për t’i ikur dënimin me burg prej 2 vjetësh për korrupsion.

Gruevski ndiqet penalisht nga Prokuroria Speciale Publike për disa skandale, ndërsa është i dënuar me burg për rastin “Tanku”, blerjen e Mercedesit luksoz. Ai akuzohet në disa lëndë tjera të PSP-së.

Gruevski, i cili drejtoi vendin për një dekadë deri më 2016, është një aleat i kryeministrit hungarez, Viktor Orban, dhe shkoi në Hungari pasi udhëtoi përmes disa vendeve ballkanike në vetura diplomatike hungareze dhe ishte i shoqëruar nga diplomatë hungarezë.

Më herët gjatë muajit, ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, u tha deputetëve se takohet vazhdimisht me Gruevskin në zyrën e tij për t’u konsultuar rreth çështjeve për Ballkanin Perëndimor.