Gjykata e Tiranës, e mbingarkuar: 24 mijë dosje, vetëm 45 gjyqtarë

Vitet ndërrohen, por problematika në Gjykatën e Tiranës mbetet e njëjta. Ngarkesë mbi çdo logjikë, jo vetëm juridike, por edhe matematikore.

Lajme

07/01/2019 15:50

Plot 45 gjyqtarë të Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës kanë shqyrtuar gjatë vitit 2018 rreth 24 mijë çështje gjyqësore, shifra këto që minimalisht nuk japin një drejtësi në kohën e duhur.

Pikërisht kjo ngarkesë është arsyeja kryesore, në radhë të parë e vonesave në gjykim, e në radhë të dytë edhe të mijëra çështjeve që barten për vitin e ri 2019.

Gjatë këtij viti që sapo ka filluar, Dhoma Civile e Gjykatës së Tiranës ka bartur mbi 5.000 çështje, të cilat nuk janë mundur të gjykohen gjatë viti të kaluar. Ndërsa mbi 8.000 çështje të tjera e kanë pasur kohëzgjatjen e gjykimit në mbi 6 muaj kalendarikë.

Por, këto vonesa japin edhe efekte domino, në mënyrë të veçantë te personat që duan të ankimojnë vendimet. Kjo, pasi gjyqtarët vonojnë zbardhjen e vendimeve për shkak të ngarkesës, e për rrjedhojë palëve të pakënaqura me vendimin u rrezikohen afatet e apelimit, transmeton “Tch”.

Ndërkohë, gjatë vitit të kaluar, numrin më të madh të padive në Dhomën Civile të Gjykatës së Tiranës e kanë pasur ato për zgjidhje martese, me 2.100 të tilla; të ndjekura me paditë për marrëdhënie pune, me 1.500; si dhe ato për shkaktim dëmi, me 1.274.

Sfida kryesore e viti 2019 për Dhomën Civile të Gjykatës së Tiranës do të jetë rritja e numrit të gjyqtarëve, nevojë e cila tashmë është më e realizueshme, pas ngritjes edhe të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.