Gjykata e Apelit shqyrton rastin e Enver Hasanit për liberalizim të vizave
Rreth shtatë muaj pasi ishte gjetur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës, rasti ku janë të akuzuar ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani dhe dy të tjerë, është trajtuar në Gjykatën e Apelit.
Lajme
Përmes një njoftimit për media, Gjykata e Apelit ka bërë të ditur se ka mbajtur seancën e kolegjit në lidhje me këtë rast.
“Gjatë ditës në Gjykatën e Apelit është mbajtur seancë e kolegjit lidhur më rastin e E.H., H.V dhe A.K. Të tre akuzohen për veprën penale mashtrim në detyrë, nga neni 341 paragrafi 3 i Kodit Penal të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Po ashtu në njoftim tregohet se në lidhje me këtë rast do të vendoset shumë shpejt.
“Gjykata e Apelit e Kosovës është e përkushtuar në zgjidhjen në afat sa më të arsyeshëm të lëndëve kundër korrupsionit zyrtar”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Në tetor të vitit të kaluar, Enver Hasani ishte gjetur fajtor dhe dënuar me 1 vit burg me kusht për periudhën e verifikimit dy vjet, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.
Po ashtu fajtorë ishin shpallur edhe dy të akuzuarit tjerë, Albert Rakipi dhe Hakif Veliu.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Enver Hasani në cilësinë e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Hakif Veliu si shef i prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare – ISN, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë në bashkëkryerje.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit këtë vepër e kishin kryer lidhur me realizimin e kontratës për përkthimin e librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe për nevojat e UP-së.