Gjurmët e aeroplanit AirAsia

Zyrtarët indonezianë kanë njoftuar të martën se ekipet e kërkimit kanë hasur në disa objekte që mendohet të jenë copa të aeroplanit AirAsia, Fluturimi QZ 8501, të humbur të dielën në mëngjes.

Bota

30/12/2014 09:20

“Disa objekte janë parë mbi sipërfaqe të Detit Java, në një nga zonat e kërkimit për aeroplanin”, njofton BBC, raporton lajmi.net.

Shefi i Agjencisë Kombëtare të Indonezisë për Shpëtim, Bambang Soelistyo, një ditë më parë deklaroi se aeroplani i zhdukur mendohet se është përplasur në det.

“Bazuar në koordinatat që na janë dhënë deri më tani, si dhe vlerësimet se pozicioni i përplasjes është në det, atëherë hipoteza më e saktë është se aeroplani është diku në fund të detit”, ka thënë Soelistyo.

Aeroplani i tipit Airbus A320-200 me 162 njerëz në bord po fluturonte nga Indonezia në Singapor, dhe u zhduk nga sinjali, pak çaste pasi kishte kërkuar ndërrim të destinacionit të fluturimit, për shkak të motit të keq.