Gjuriq: Vetë liderët kosovarë s’po mund të merren vesh për Trepçën

Trepça është bërë një nga temat më të nxehta në vend. Ajo edhe është politizuar duke u shfrytëzuar nga opozita për thirrje të protestave. E kjo tani po shfrytëzohet edhe nga Serbia. Drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, thotë se problemi i Trepçës nuk është vetë mosmarrëveshje në mes të Beogradit dhe Prishtinës, por edhe temë për të cilën nuk po mund të pajtohen as vetë politikanët kosovarë. 

Lajme

02/02/2015 09:40

I pyetur nga Veçernje Novosti, rreth deklaratës së ministrit për integrime evropiane se çështjen e Trepçës duhet ta zgjidhë gjyqi ndërkombëtar, Gjuriq ka thënë se nganjëherë ka përshtypjen se as vetë liderët politik në Prishtinë nuk po mund të merren vesh se si të zgjidhet kjo çështje, transmeton lajmi.net. 

“Nëse duam normalizim të plotë të marrëdhënieve, atëherë duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet ta zgjidhin çështjen e pasurisë, po vetëm për shkaqe p çështja e pasurisë, por edhe për shkak të ambientit ekonomik. Ne jemi krejtësisht të gatshëm”, ka thënë ai. 

Gjuriq ka folur edhe për vazhdimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, që rifillon me takimin e 9 shkurtit në Bruksel, dhe diskutimin për Asociacionin e Komunave Serbe. 

“Jemi të gatshëm të bisedojmë për elemente të statutit, e mendoj se të gjithë pak a shumë janë të njohur me atë se cila është pikëpamja jonë për Asociacionin Serb të Komunave”. 

Sipas tij forma përfundimtare e rregullimit të Asociacionit duhet konfirmuar përmes dialogut duke theksuar se ASK nuk do të jetë në dëm të shqiptarëve, por në dobi të gjithë Kosovës. 

Ai ka thënë se Asociacioni është detyrim për Kosovën dhe kryeministrin Isa Mustafa e zëvendësin e tij Hashim Thaçi, detyrim të cilin sipas tij e kanë marrë me nënshkrimin e marrëveshjes së koalicionit me “Listën Srpska”.