Gjuriq: Serbia mund të kërkojë ndërrimin e zyrtarëve serbë në Kosovë

Drejtori Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka deklaruar sot se Beogradi do të ndërrojë ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës nëse ata nuk përmbushin atë që nga ta pret bashkësia serbe.

Lajme

29/01/2015 14:01

Gjuriq nuk ka saktësuar nëse kështu do të bëjë edhe me Ministrin Aleksandar Jabllanoviqin.

Zyrtari serb i ngarkuar me Kosovën ka thënë se autoritete e Prishtinës trazirat -kështu i është referuar ai demonstratave- mund t’i përdorin për mosrealizim të asaj për të cilën është arritur marrëveshje në Bruksel.

“Është për të pritur që në Bruksel përfaqësuesit shqiptarë t’i përdorin trazirat për fleksibilitet më të vogël ose për pamundësim respektimi të disa marrëveshjeve, sikur që është ajo e kompetencave të Asociacionit serb të Komunave”, ka thënë Gjuriq për Radio Beogradin, transmeton Koha.net.

“Nuk mund të presim nga asnjë parti politike shqiptare qëndrim të mirë ndaj serbëve në Kosovë”, ka thënë Gjuriq.

“Pos nëse bashkësia ndërkombëtare nuk ua ka bërë me dije se kjo është në interes për qëllime të tjera. Të gjithë ata (shqiptarët) serbët i shohin me syze lufte dhe shumica e liderëve është nga radhët e luftës”, ka thënë Gjuriq.

Ai ka shtuar se në emër të Qeverisë së Serbisë mund të pohojë se bashkësinë serbe në Kosovës do ta informojë qartë dhe tërësisht për të gjitha marrëveshjet, porse, siç tha, nuk mund të garantojë që pala shqiptare pas takimeve në Bruksel edhe më tej dhe sërish do të dalë me qëllime krejtësisht të tjera nga marrëveshja, transmeton Koha.net.