Gjuriq: Prishtina e ka humbur statusin e të favorizuarit të Brukselit

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se Beogradi po i vazhdon aktivitetet për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën.

Lajme

14/07/2015 14:20

Por sipas tij, problemi është se ka vështirësi në implementimin e marrëveshjeve që janë arritur deri tash në dialogun e Brukselit.

Në një intervistë për Tanjugun, Gjuriq tha se ai do të udhëtonte drejt Brukselit të Mërkurën për të marrë pjesë në takimet për implementimin e marrëveshjeve të arritura, transmeton lajmi.net.

Gjuriq është i mendimit se Prishtina po stagnon dhe po bllokon implementimin e marrëveshjeve, dhe për këtë shkak sipas tij ajo ka humbur statusin e të “favorizuarit” të Brukselit.

Ai ka thënë se Beogradi është i gatshëm ta vazhdojë dialogun në nivel kryeministrash kurdo që pala tjetër është e gatshme për një gjë të tillë.

“Beogradi është i gatshëm të vazhdojë që neser nga aty ku ka mbetur dialogu në takimet e fundit në nivel kryeministrash, për të finalizuar dhe formalizuar marrëveshjen në telekomunikacion dhe njerën prej çështjeve më të rëndësishme per ne, Asociacionin e Komunave Serbe”, ka thënë Gjuriq.

Sipas tij, kancelaria Merkel në mënyrë të qartë e ka shprehur respektin për politikën serbe dhe ka thënë që ajo vlerëson konstruktivitetin që e tregon Beogradi në dialogun e Brukselit me Prishtinën.

“Ne do të vazhdojmë përgjegjësinë tonë për partnerët Evropian, por mbi të gjitha për shtetin dhe popullin tonë”, ka përfunduar Gjuriq. /lajmi.net