Gjuriq kundërshton ashpër Asociacionin në Luginë

20:54 | 12 Shtator 2015

Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë

​Asociacioni i Komunave me Shumicë Shqiptare në Luginë të Preshevës po kundërshtohet nga Beogradi zyrtar.

Drejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, ka thënë se shqiptarët kanë nevojë për punë dhe për një të ardhme të sigurt, e jo për rrugë që çojnë në konflikte, të cilat sipas tij, vetëm mund ta rrisin emigrimin e të rinjve shqiptarë.

“Ata duhet të jenë një urë në mes të popullit serb dhe shqiptar, jo një mjet negocimi dhe instrumente të manipulimit të politikanëve të papërgjegjshëm”, është shprehur Gjuriçi.

Kurse,kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur veprim të papërgjegjshëm politik dhe të papranueshëm.

“Serbia di si të reagojë – me urtësi dhe mençuri. Nëse është e nevojshme ta tregojë fuqinë, mos keni dert, sepse gjithsesi do ta tregojë”, ka theksuar Vuçiq.

Të premten, zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiq, me tone të ashpra i ka porositur këshilltarët komunalë shqiptarë, siç ka thënë ai, të mos luajnë me zjarr./Express