Gjuriq: Gabim i madh shkarkimi i Jabllanoviqit
Vendimi i kryeministrit Mustafa për shkarkimin e Aleksandar Jabllanoviqit nga posti i ministrit, nga drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, është vlerësuar si “gabim shumë i madh”.

Lajme
Përmes një komunikate për media, Gjuriq ka thënë se Aleksandar Jabllanoviq nuk është fajtor për atë që ka protestuar një pjesë e opinionit qytetar në Kosovë.
“Vendimi i njëanshëm i i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe i zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi për të ndërruar ministrin Jabllanoviq është gabim shumë i madh”, ka shkruar ai.
“Jabllanoviq nuk është fajtor për çfarë një pjesë e opinionit shqiptar demonstron dhe e akuzon. Vendimet për hapat e mëtejmë do të merren pas takimit të anëtarëve serbë të Qeverisë së Kosovës me kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Gjuriq në kumtesën e vet.
“Nuk do të pranojmë poshtërimin e përfaqësuesve serbë në institucionet e krahinës” , ka shtuar ai, transmeton Express.