Gjuriq flet pas takimit me Vuçiqin, ka një kërkesë për Kosovën
Drejtori i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka zbuluar detaje nga takimi i sotëm me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Lajme
Drejtori i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka deklaruar sot pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq se nuk do të ketë negociata për vazhdimin e dialogut me Prishtinën deri në heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.
Gjuriq ka thënë se gjatë takimit të sotëm në Beograd është marrë vendim për “masa të forta dhe shumë të rrepta” ndaj Kosovës nëse nuk heq taksën deri te Samiti i Parisit që do të mbahet në fillim të korrikut me iniciativë nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, transmeton lajmi.net.
Ai ka thënë se janë lavdëruar nga Vuçiqit për “fitoren e mrekullueshme” në zgjedhjet e javës së kaluar në katër komunat veriore të Kosovës që sipas tij ka dëshmuar bashkimin e serbëve dhe lidhjen e “pandashme” me shtetin e Serbisë.
“Porosia e qartë e zgjedhjeve është që atë lidhje nuk është e mundur ta ndërpresë askush pa marrë parasysh presionet politike, ekonomike dhe të tjera”, u shpreh ai.
Ai ka theksuar se gjatë takimit kanë ardhur në përfundim se pas zgjedhjeve “nuk duhet të ketë gjumë” por përfaqësuesve të serbëve nga Kosova u është thënë se prej tyre pritet që çdo ditë të punojnë në përmirësimin e kushteve të serbëve në Kosovë.
“Është nxjerrë si përfundim se të zgjedhurit duhet t’i kryejnë funksionet e tyre pa presionin e Prishtinës përndryshe nëse do të jetë e nevojshme, të largohen nga pozitat e tyre”, përfundoi Gjuriq. /Lajmi.net/