Gjuriq e kundërshton afatin prej 18 muajsh për mbylljen e dialogut Kosovë-Serbi

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq ka reaguar pas deklaratave se Kosova do ta kërkojë përfundimin e dialogut në afat prej 18 muajsh.

Lajme

11/11/2017 16:31

Sipas Gjuriqit, i vetmi afat është për krijimin e Asociacionit, e jo edhe për përfundimin e dialogut.

“I vetmi kronometër i përfshirë është për Asociacionin”, tha Gjuriq, transmeton lajmi.net.

“Unë pres që Prishtina sa më shpejt të jetë e mundur të përmbush detyrimet e saj, dhe të ulet e të punojë me serbët në Kosovë për përmirësimin e jetës së tyre”, shtoi ai, duke komentuar shkrimin e Sputnik.

Sipas Marko Gjuriq, Beogradi duhet të vazhdojë me dialogun, pasi ai pretendon se serbët janë garantues i stabilitetit, paqes dhe sigurisë për serbët.

Ndaj raportimeve të Sputnik në lidhje me përmbylljen e dialogut, ka folur edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.

“Nuk ka ndonjë propozim të shkruar të cilin e kemi dërguar, por ajo çfarë unë kam deklaruar nga viti 2014 që mund të konfirmohet publikisht dhe medialisht e deri para dy ditësh, është se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të afatizohet në planin kohor dhe duhet të afatizohet në planin përmbajtjesor”, deklaroi Hoxhaj për lajmi.net.

Sputnik kishte shkruar se kërkesa e Kosovës ishte përkrahur edhe nga BE dhe Gjermania. /Lajmi.net/