Gjonbalaj: OMK-ja nuk ftohet nga IKSHP-ja në mbledhjet për pandeminë, gjysma e mjekëve të pavaksinuar

Oda e Mjekëve të Kosovës nuk është duke i dhënë rekomandime IKSHP-së në lidhje me pandeminë Covid-19. Kjo pasi IKSHP-ja nuk është duke e ftuar këtë odë nëpër mbledhje, raporton lajmi.net.

Lajme

19/04/2021 19:08

Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Naser Gjonbalaj, në një intervistë për lajmi.net.

Në lidhje me këtë, ai ka thënë se dikujt kritikat nuk i çojnë peshë.

“ Ne kemi pas rast në fillim, kemi dhënë rekomandime, por gjatë rrugës edhe pse përfaqësuesit tonë kanë qenë nëpër komitete nuk janë ftuar. Nuk mund të flas për diçka të tillë, që nuk kemi një rekomandim. Megjithatë, edhe IKSHP-ja edhe të gjithë personeli shëndetësor janë anëtarë të odës dhe derivojnë nga oda. Nuk e dimë pse. Ndoshta është ajo kritika pozitive që ka qenë e dikujt as kritikat nuk i çojnë peshë”, ka thënë ai për lajmi.net.

Gjonbalaj ka theksuar se OMK-ja nuk ka kërkuar sqarime pse përfaqësuesit e saj nuk ftohen në këto mbledhje, derisa ka shtuar se kjo çështje mbetet në institucionet vepruese të cilat ndërmarrin masa.

Por, ai ka shtuar se pavarësisht kësaj nuk është ndërprerë komunikimi me IKSHP-në.

“Në komisionet e larta, ku ka qenë përfaqësuesi i OMK-së, nuk janë thirr më. Nuk do të thotë që nuk kemi bashkëpunim. Kemi komunikim të vazhdueshëm me institucionet, por jo komunikim në kuptimin e grupit të madh të ndërmarrjes për mbarëvajtjen e pandemisë”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, në lidhje me procesin e vaksinimit, ai ka bërë të ditur se kanë mbetur edhe gjysma e mjekëve pa vaksinuar.

“Sipas të dhënave duhet të ketë kalu 2 mijë mjekë të vaksinuar. Realisht kanë mbetur mjekë të pavaksinuar, por është numër i konsiderueshëm i mjekëve që e kanë marrë vaksinën. Janë më shumë se gjysma që nuk e kanë marrë”, është shprehur ai për lajmi.net.

Gjonbalaj ka shtuar se mjekët nuk janë duke hezituar për ta marrë vaksinën./Lajmi.net/