Gjithmonë isha tifoz i Barcelonës
Alen Halilovic thotë se gjithmonë ka qenë tifoz i Barcelonës. Pasi nënshkroi kontratë pesëvjeçare, talenti kroat e shprehu gëzimin e tij që iu bashkua gjigantit katalunas.
Sport
Transferimi më i ri i Barcelonës, Alen Halilovic e ka shprehur gëzimin e tij pasi iu bashkua klubit më të madh në botë, sipas tij, duke nënshkruar kontratë pesëvjeçare.
17 vjeçari iu bashkua gjigantit katalunas nga Dinamo Zagreb për 2,2 milionë euro, shumë kjo që mund të rritet më vonë, varësisht nga paraqitjet e tij dhe arritja e objektivave.
“Kjo është një ditë e madhe dhe jam mjaft i lumtur. Gjithmonë kam qenë tifoz i Barcelonës dhe di shumë për këtë klub”, deklaroi fillimisht Halilovic, i cili do t’i bashkohet ekipit B të Barcelonës, në sezonin e parë.
“E kam shikuar ekipin e dytë këtë sezon, kanë ekip të ri, që bën një lojë të shkëlqyeshme. Mund të flas pak spanjisht”.
“Jam mjaft i lumtur që mu dha mundësia të luaj në klubin më të madh në botë. I përshëndes të gjithë tifozët e Barcës me Visca el Barça”, përfundoi ai.