Gjithçka që dihet nga sulmi terrorist që tronditi botën

Nga sulmi terrorist në Zelandën e Re, kanë mbetur të vdekur 49 persona dhe shumë të tjerë janë të lënduar rëndë.

Bota

15/03/2019 11:27

Komisioneri policor, Mike Bush ka thënë se nga sulmi terrorist në Zelandën e Re, kanë mbetur të vdekur 49 persona dhe shumë të tjerë janë të lënduar rëndë.

Ai ka bërë të ditur se dy mjete shpërthyese janë gjetur në një prej veturave të sulmuesve, raporton “CNN”, transmeton lajmi.net.

Sulmuesi është australiani, Brenton Tarrant, 28 vjeçar.

Lexo edhe:

Publikohet video e plotë nga kamera e sulmuesit në xhaminë në Zelandën e Re

Ai para sulmit në dy xhami në Christchurch, në ishullin jugor të Zelandës së Re, kishte publikuar gjithë planin e sulmit të cilin e kishte detajuar vetë e që lidhej me sulmin.

Në planin e tij tronditës, i detajuar në 73 faqe, sulmuesi kishte paraqitur ankesat e tij, pse ai do të kryente sulmin.

Sulmuesi përmes Facebook-it kishte transmetuar ‘live’ sulmin në njërën xhami.

Fjalët e njërit prej sulmuesve para se të hynte në një prej xhamive në Zelandën e Re: “Ta fillojmë këtë festë”.

Sulmuesi i veshur me garberodë ushtarake përdori armë të rënda automatike derisa realizoi vrasjet në Christchurch të Zelandës së Re.

Ai po ashtu kishte instaluar një kamerë GoPro në kokë me të cilën e transmetoi sulmin live në Facebook.

Deri më tani janë arrestuar tre persona, duke përfshirë edhe Tarrantin dhe një grua.

Sulmuesi tha se ishe frymëzuar nga vrasësi masiv i Norvegjisë Andres Behring Breivik, i cili vrau 77 persona në vitin 2011.

Një njeri që i mbijetoi sulmit duke u fshehur thotë se njerëzit thyen dritaret e xhamisë së Al Noorit për t’i shpëtuar plumbave të sulmuesit, transmeton lajmi.net.

“Ai filloi të xhiroi ata. Kushdo që ai mendonte se ishte ende gjallë, vazhdoi t’i qëllonte” , tha ai për Radio Zelandën e Re.

“Ai nuk donte që dikush të qëndronte gjallë.”

Të shtënat zgjatën për 20 minuta, sipas një dëshmitari tjetër.

Emrat e gdhendur në armët e sulmuesit

Mediet lokale kanë publikuar foto se njëri nga sulmuesit në armë ka pasur të gdhendur emrat e car Llazarit, Millosh Obilliqit.

Mediet lokale kanë publikuar foto se njëri nga sulmuesit në armë ka pasur të gdhendur emrat e car Llazarit, Millosh Obilliqit dhe të personaliteteve të tjera historike të Serbisë e Malit të Zi, përcjell al Jazerra.

Edhe emri “Skanderbeg”, është i shkruar në armën e njërit prej sulmuesve në xhamitë në Zelandën e Re.

Mediat e huaja kanë publikuar fotografitë e armës së tij ku shihen emra të ndryshëm përfshirë disa të carëve serbë.

Ajo që bie në sy është se në mesin e shumë emrave të shkruar në armë, shihet edhe ai i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Solidarizimi botëror me Zelandën e Re

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave nga sulmi terrorist në xhamitë e Zelandës së Re, ku mbetën të vdekur rreth 50 persona e u plagosën mbi 40 të tjerë.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se akti terrorist në Zelandë të Re, ku mbeten të vrarë dhjetëra njerëz të pafajshëm, cenon vlerat e një vendi të lirë.

“Akti terrorist në Zelandë të Re, ku mbeten të vrarë dhjetëra njerëz të pafajshëm, cenon vlerat e një vendi të lirë dhe na prekë të gjithëve. Në emër të Qeverisë së Kosovës, shpreh dhimbjen për viktimat njerëzore të kësaj ngjarje të rëndë”, ka shkruar Haradinaj.

I pari i ekzekutivit ka deklaruar se Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj përkrah aleatëve strategjikë për sigurinë globale.

“Ngushëllime familjeve dhe institucioneve të Zelandës së Re. Terrorizmi, pa marrë parasysh nga kush vjen, është e keqja më madhore me të cilën duhet të përballemi të gjithë së bashku. Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj përkrah aleatëve strategjikë për sigurinë globale”, deklaroi ai.

Edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, e ka dënuar ashpër sulmin terrorist që ndodhi në dy xhami në Christchurch të Zelandës së Re.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se populli dhe institucionet e Kosovës ndajnë dhimbjen me familjet e viktimave dhe shtetin mik të Zelandës së Re.

“Republika e Kosovës e dënon ashpër aktin terrorist në xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vrarë 40 persona dhe u plagosën 20 të tjerë. Në këto momente të rënda, populli dhe institucionet e Kosovës ndajnë dhimbjen me familjet e viktimave dhe shtetin mik të Zelandës së Re. Aktet e tilla dëshmojnë për domosdoshmërinë e vazhdimit të luftës kundër çdo forme të ekstremizmit dhe terrorizmit në botë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndryshe, Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, e përshkroi këtë si sulm terrorist dhe një nga “ditët më të errëta” të vendit.

Në lidhje me këtë ngjarje ka pasur edhe reagime nga pothuajse të gjithë liderët botëror.

Pas sulmit është rritur siguria e vendeve fetare

Ministri i Brendshëm francez, Christophe Castaner, ka njoftuar se do të ketë masa shtesë të sigurisë rreth vendeve fetare në Francë “si masë paraprake”, në përgjigje të sulmit të Christchurch.

“Patrullat do të mbahen rreth vendeve fetare”, ka shkruar ai në Tëitter, transmeton lajmi.net.

Edhe Londra ka marrë masa të menjëhershme pas sulmeve terroriste në xhamitë në Zelandën e Re.

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan ka shprehur ngushllime për familjarët e viktimave të sulmeve terroriste në xhamitë në Zelandën e Re.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se ka vendosur të përforcojë sigurinë rreth xhamive në kryeqytetin britanik, transmeton lajmi.net.

“Dua të siguroj komunitetin mysliman në Londër. Kam qenë në kontakt me policinë. Do të ketë pjesëtarë të policisë rreth xhamive sot, si dhe zyrtarë të armatosur derisa londinezët shkojnë për t’u lutur”, deklaroi ai.

Londra ka një komunitet të madh mysliman. /Lajmi.net/