Gjithçka çfarë dihet deri më tani për incidentin me presidenten Osmani në Aeroportin e Shkupit
Një incident i që s’ka ndodhur më parë në kuadër të krerëve të shtetit të Kosovës u raportua mbrëmë. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani thuhet të jetë penguar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut në aeroportin e Shkupit. Por jo vetëm kaq. Situata në këtë rast ka eskaluar aq shumë, saqë aty për pak sa…

Lajme
Një incident i që s’ka ndodhur më parë në kuadër të krerëve të shtetit të Kosovës u raportua mbrëmë.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani thuhet të jetë penguar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut në aeroportin e Shkupit.
Por jo vetëm kaq.
Situata në këtë rast ka eskaluar aq shumë, saqë aty për pak sa është shkrepur arma e zjarrit.
Nga Presidenca e Kosovës kanë thënë për lajmi.net se sigurimi i aeroportit ka tentuar që t’ia marrë presidentes telefonin personal, por se Osmani nuk ka lejuar një gjë të tillë.
Sipas këshilltares së Osmanit, Egnesa Vitia pavarësisht shpjegimit të rregullave që ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, Presidentja, ai ka tentuar që fizikisht ta shtyjë atë.
“Ne kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën. Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike.” tha Vitia
Sipas këshilltares pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes, ku thekson se vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës, shkruan Lajmi.net.
“Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal. Sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse. Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident”, u shpreh ajo për Lajmi.net.
Tutje ka vazhduar se Republika e Kosovës, asnjëherë në historinë e saj, nuk ka trajtuar në mënyrë të tillë me prijësin e shtetit.
“Presidentja e ka njoftuar për këtë skandal diplomatik të shkaktuar nga pala maqedonase kryetarin e Kuvendit z.Afrim Gashi, të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar. Vlen të përmendet se pas hyrjes së Presidentes në aeroplan, Aeroporti i Shkupit nuk e ka lejuar aeroplanin komercial të niset edhe për më shume se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen, për shkak se nuk do të ishte gati për aterrim. Kabineti i Presidentes e ka kontaktuar palën sllovene të cilët na kanë informuar që një gjë e tillë absolutisht nuk është e vërtetë dhe se aeroplani do të mund të ateronte në kohën e planifikuar. Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror si sulm ndaj vete shtetit të Kosovës. Republika e Kosovës, asnjëherë në historinë e saj, nuk ka trajtuar në mënyrë të tillë Presidentin/Presidenten, Kryeministrin apo Ministrat e Maqedonisë së Veriut e as të ndonjë vendi tjetër e as nuk do të lejojë një ndonjëherë një gjë të tillë”.
Pas kësaj, në lidhje me ngjarjen janë deklaruar edhe nga Aeroporti Shkupit, kundër të tjerash thuhet se secili pasagjerë duhet të kontrollohet pasi që punonjësit e kanë obligim ligjor që ta bëjnë, ndonëse aty nuk përmendet fare emri i presidentes kosovare.
“Prandaj, Departamenti i Sigurisë i TAV Maqedoni, në kuadër të kompetencave të veta, ka bërë kontroll standard të sigurisë së pasagjerit të përmendur si dhe bagazhit të tij, në pikën e kontrollit të sigurisë në sallonin VIP. Duam të theksojmë se siguria e aviacionit nuk është kërcënuar, sepse ngjarja e përmendur ka ndodhur në hapësirën publike të aeroportit, pra përballë pikës së kontrollit të sallës së VIP-ave, nga ku pasagjerët VIP, pasi janë kontrolluar nga Sigurimi, dërgohen në zonën e kontrolluar nga aeroporti. Gjithashtu duam të theksojmë se salla e VIP-ave është një ndërtesë e veçantë e izoluar nga ndërtesa kryesore e terminalit të Aeroportit të Shkupit, që do të thotë se është plotësisht e rreme se është cenuar siguria e udhëtarëve. Për të marrë një pasqyrë të saktë të ngjarjes dhe për të parandaluar përhapjen e dezinformatave, për të gjitha detajet në lidhje me incidentin, i drejtojmë mediat që të kontaktojnë institucionet kompetente” u tha nga TAV.
Në lidhje me këtë rast po ashtu reagim pati edhe nga kabineti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Madje nga ata është mohuar përfshirja e stafit të mbrojtjes së Gashit.
“Ndryshe nga këto raportime, anëtarët e ekipit të sigurimit të Kryeparlamentarit Gashi kanë qenë të pranishëm aty vetëm për ta qetësuar situatën e krijuar nga një keqkuptim mes sigurimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe pjesëtarëve të sigurimit të aeroportit. Personeli i sigurimit të kryeparlamentarit Gashi, të cilët janë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë ndërhyrë për ta qetësuar situatën dhe për t’i udhëzuar kolegët e tyre për procedurat e sigurisë gjatë vizitës së personave VIP.Me këtë rast teksojmë se çdo raportim që e sugjeron të kundërtën është tendencioz. Pas kësaj u bëjmë thirrje edhe mediave që kanë raportuar për këtë ngjarje, që ta verifikojnë informacionin e tyre para se të publikojnë pretendime të tilla dhe të veprojnë me përgjegjësi profesionale dhe etike”.
Deri më tani në lidhje me rastin ka pasure dhe reagime të personaliteteve të ndryshme në Kosovë.
Një reagim të vonshëm mbrëmë e pati edhe Ministria e Punëve të Jashtme, ku ndër të tjerash thanë se janë duke mbledhur informacione në lidhje me rastin./Lajmi.net/
Spekulojnë mediat në Maqedoni: Në çantën e Presidentes Osmani është detektuar kontrabandë