Gjini: Protesta e komunave, pasojë e një qeverisjeje brutale
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, mori pjesë në protestën e komunave të Kosovës para objektit të Qeverisë në detyrë. Në një intervistë për gazetaren e Klan Kosovës, Endrita Bajrami, Gjini deklaroi se protesta është rezultat i, siç e cilësoi ai, një “qeverisjeje brutale” ndaj komunave. “Paramendoni se ku ka ardhur situata në Kosovë, kryetarët e…
Lajme
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, mori pjesë në protestën e komunave të Kosovës para objektit të Qeverisë në detyrë.
Në një intervistë për gazetaren e Klan Kosovës, Endrita Bajrami, Gjini deklaroi se protesta është rezultat i, siç e cilësoi ai, një “qeverisjeje brutale” ndaj komunave.
“Paramendoni se ku ka ardhur situata në Kosovë, kryetarët e zgjedhur të komunave, asamblistët dhe zyrtarët komunalë po protestojnë kundër Qeverisë së Kosovës. Kjo është pasojë e një brutaliteti në qeverisje ndaj komunave. Është një qeverisje brutale”, u shpreh Gjini për Klan Kosova.
Ai tha se Kosova po kalon, sipas tij, një periudhë të karakterizuar nga “mashtrimi më i madh në historinë e Kosovës”, duke akuzuar qeverisjen aktuale se po i mashtron qytetarët.
“E kam thënë edhe më herët, ne po jetojmë në epokën e mashtrimit më të madh në historinë e Kosovës, në epokën e qeverisjes së një njeriu që po mashtron popullin”, deklaroi Gjini.
Kreu i Aleancës shtoi se kjo periudhë, sipas tij, do të marrë fund, duke u bërë thirrje qytetarëve që një gjë e tillë të përfundojë sa më shpejt.