Gjini pas djegies së ‘Viva Fresh’: Fat i mirë që s’ka pasur viktima në njerëz

Kreu i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, pas djegies së “Viva Fresh Store”, në këtë qytet ka thënë se është fat i mirë që nuk ka pasur viktima në njerëz.

Lajme

10/03/2019 18:37

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas djegies së zjarrit në qendrën tregtare “Viva Fresh Store”, në këtë qytet, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Gjini ka bërë të ditur se vetëm në 36 orët e fundit, në Gjakovë  janë shkaktuar mbi 80 zjarre në male dhe fusha.

Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve që ta ndërpresin zjarrvënien në fusha sepse sipas tij, dëmet mund të jenë të pariparueshme.

Postimi i plotë i Gjinit pa ndërhyrje:

Sot në Gjakovë ra zjarr në njërin ndër objektet e mëdha në qendër të qytetit, në qendrën tregëtare Viva Fresh. Edhepse dëmet materiale duket se janë të mëdha, fat i mirë është se nuk ka pasur viktima në njerëz.

Në ndërkohë, në komunën e Gjakovës në 36 orët e fundit janë shfaqur mbi 80 zjarre kryesisht në male dhe fusha. Është tejet e papërgjegjshme sjellja e individëve të caktuar, të cilët duke gjetur mënyra brutalisht të papërshtatshme të punëve në fusha, e vëjnë në rrezik jetën e njerëzve, pasurinë publike dhe i shkaktojnë dëme të pariparueshme mjedisit jetësorë.

I falënderoj tejmase zjarrëfikësit e brigadës së Gjakovës të cilët tanimë me ditë të tëra, jasht çdo parashikim dhe me vetmohim maksimal po përballen me zjarret e shkaktuara nga njerëz skajshëm të papërgjegjshëm.

Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ta ndërpresin zjarrvënien në fusha sepse dëmet mund të jenë të pariparueshme.

E falënderoj poashtu policinë e Kosovës për reagim tejet profesional dhe vetmohues.

Në të njejtën kohë, iu bëj thirrje të gjitha organeve të rendit që me rigorozitetin më të madh t’i hetojnë të gjithë ata që e vënë në rrezik jetën e qytetarëve dhe pasurinë qoftë publike qoftë private. /Lajmi.net/