Gjini: Kryeministrit i ka ngecur shiriti, ende mendon se kufizohemi vetëm me Shqipërinë

Ish deputeti i AAK-së, Ardian Gjini, i është kapur për një fjalie kryeministrit Isa Mustafa, të cilën ky i fundit e tha gjatë vizitës në Komunën e Gjakovës.

Lajme

14/03/2015 22:42

Mustafa tha se Qeveria do ta ndihmojë Gjakovën edhe për faktin se ajo është komunë kufitare.

Por duket se kryeministri kur e tha këtë nuk e kishte parasysh se ky fakt nuk përbën ndonjë veçanti për Gjakovën krahasuar me komunat tjera të vendit, pasi sot kur Kosova është ndarë nga Serbia, dhe ish Jugosllavia është shpërbërë, shumica e komunave të vendit kufizohen me ndonjërin nga shtetet fqinje të Kosovës.

“Sot në Gjakovë Kryeministri Mustafa tha se kjo komunë do të ndihmohet sepse në mes tjerash është komunë kufitare! Në dukje të parë gjithçka në rregull, por nëse mendojmë pak, Isa Mustafës i ka ngecur shiriti në vitin 1989 po duket”.

“Sot, nëse nuk llogariten 4 mikrokomunat e krijuara së voni, më shumë komuna të Kosovës janë kufitare, nëse “kufitare” nënkuptohet ajo komune territori i të cilës kufizohet së paku në një pjesë me ndonjë shtet fqinj (e jo vetëm me Shqipërinë), se sa “jokufitare. Po i përmendi: Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveqani, Istogu, Peja, Deçani, Gjakova, Prizreni, Dragashi, Shtërpcë, Ferizaj, Kaçaniku, Hani i Elezit, Vitia, Gjilani, Kamenica, Prishtina, Podujeva. Ndërsa “jokufitare” janë: Mitrovica, Skenderaj, Drenas, Malisheva, Rahoveci, Suhareka, Shtimja, Ferizaj, Lipjani, Fushë Kosova, Obiliqi, Vushtria, Graqanica, Novo Bërda. Numëroni vet”.

“Por Isa po duket në një moment u ngatërrua me RSFJ-në. Atëherë KSAK i ka pasur vetëm pesë komuna kufitare,… me RPSSH; Pejë, Deçan, Gjakovë, Prizren dhe Dragash! Isë, shtet është Kosova. Edhe kufiri me Malin e Zi, Serbinë e Maqedoninë kufij janë”.

“Shtet jemi ka shtatë vite tani! RSFJ ka vdekur para një çerek shekulli. Qe edhe një hartë sa për ilustrim”, ka shkruar Gjini në llogarinë e tij në Facebook. (lajmi.net)

a