Gjilani, Malisheva e Behari kalojnë në çerekfinale të Kupës së Kosovës

Janë mësuar edhe tri skuadra tjera çerekfinaliste të Kupës së Kosovës, teksa skuadra e fundit që do ta sigurojë biletën për këtë fazë të garave do të përcaktohet nesër. Në fakt, ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit, e paraparë të zhvillohej sot në Lipjan, u shty për 24 orë nga Komisioni i Garave, për shkak të…

Sport

05/02/2023 15:31

Janë mësuar edhe tri skuadra tjera çerekfinaliste të Kupës së Kosovës, teksa skuadra e fundit që do ta sigurojë biletën për këtë fazë të garave do të përcaktohet nesër.

Në fakt, ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit, e paraparë të zhvillohej sot në Lipjan, u shty për 24 orë nga Komisioni i Garave, për shkak të kushteve atmosferike dhe ngricave të shumta në fushën e stadiumit ‘Sami Kelmendi’.

Ndërkohë, Gjilani ka arritur fitore bindëse në duel me Vjosën, me rezultat 4:0. Të katër golat skuadra e Zekirija Ramadanit i shënoi në pjesën e dytë.

Shifrat i zhbllokoi Theophilus Solomon, në minutën e 49-të, derisa më pas realizuan edhe Mevlan Zeka (53’), Baton Zabërgja (81’) dhe Albert Dabiqaj (85’).

Fitore para tifozëve të vet ka realizuar edhe Malisheva, e cila e mundi skuadrën e Ligës së Parë, Fushë Kosovën, me rezultat 2:0.

Golat për skuadrën e Malishevës i shënuan Bleart Tolaj (52’) dhe Ronald Sobowale (84’).

E pjesë e fazës çerekfinale do të jetë edhe Behari, skuadër kjo e Ligës së Dytë, e cila para tifozëve të vet e mundi skuadrën tjetër të kësaj kategorie, Prizrenin, me rezultat 3:1./Lajmi.net/