Gjilani dhe PDK s’shkojnë bashkë

Albin Kurti thotë se Gjilani me fitoren e Vetëvendosjes dhe Ismajl Kurteshit do të jetë Komunë e Republikës për hir të qytetarëve dhe jo Komunë e pushtetit kundër qytetarëve.

Lajme

31/10/2013 17:34

Lëvizja Vetëvendosje ka përmbyllur fushatën elektorale në Gjilan, ku ka premtuar qeverisje në interes të qytetarëve dhe jo të pushtetarëve, në rast se Kryetar i këtij qyteti zgjedhet Ismajl Kurteshi.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se qytetarët e Gjilanit nuk ia kanë pasur borxh askujt këtë gjendje të rëndë.

“Gjilani është kryeqyteti i Anamoravës, Gjilani është kryeqyteti i Lindjes së Kosovës dhe Kosovës Lindore”.

“Gjilani është vatra e rezistencës qytetare, e kryengritjeve të vazhdueshme të kombit tonë për çlirim e bashkim”.

“Gjilani duhet t`ia shtojmë zhvillimin ekonomik dhe t`ia heqim politikanët e korruptuar”.

“Duhet t’ia shtojmë zhvillimin ekonomik duke ia shtuar prodhimin ekonomisë dhe duhet t`ia heqim politikanët e korruptuar, duke shporrur korrupsionin prej institucioneve”.

“Komuna e Gjilanit me fitoren e Vetëvendosjes dhe Ismajl Kurteshit do të jetë Komunë e Republikës për hir të qytetarëve dhe jo komunë e pushtetit kundër qytetarëve”.

“Në Gjilan është trashur pushteti e është rrudhur Komuna”.

“Kemi decentralizim të territorit mbi baza etnike, dhe centralizim të parasë mbi baza klanore”.

“Me fitoren e Vetëvendosjes, Gjilani do të ketë decentralizim mbi baza qytetare, dhe subvencionim mbi baza prodhuese. Sepse Gjilani nuk ka as tokë për të shitur, as tokë për të lënë djerrë”.

Deputeti Glauk Konjufca tha se fitorja e Kurteshit është e sigurt në Gjilan.

“Gjilani dhe PDK nuk shkojnë bashkë”.

“Udhëheqja e Gjilanit ka qenë e pandershme dhe ka punuar vetëm për veti”.

Kandidati i Vetëvendosjes për Kryetar të Gjilanit, Ismajl Kurteshi, tha se Vetëvendosje deri tash është përpjekur dhe ka arritur të pengojë shumë veprime të dëmshme të pushtetit komunal.

“ Gjatë kësaj kohe ne kemi vizituar të gjitha lokalitetet e komunës dhe jemi takuar me qytetarët dhe grupe të ndryshme të interesit. Bazuar në informatat e mbledhur nga ta, ekspertët tanë të fushave përkatëse e kanë hartuar programin qeverisës 2014-2017 për Gjilanin në përputhje me mundësitë reale të Komunës, i cili bashkë me parimet tona garanton udhëheqje të ndershme profesionale dhe të përkushtuar”.

“Programi qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje garanton ndryshime për të cilat ka nevojë Gjilani”.

“Ne në të gjitha takimet me qytetarët jemi pajtuar që të gjitha fshatrat dhe lagjet e qytetit të gjitha komunitetet dhe të gjithë individët, pa asnjë dallim, t`i trajtojmë në mënyrë të barabartë”.

“Ne kemi vendosur që Kryetari i Komunës dhe zyrtarët tjerë të heqin dorë nga honoraret dhe mëditjet dhe që veturat zyrtare të mos i përdorim për nevoja private”.

“Ne kemi vendosur që t`i rrisim investimet në infrastrukturë, bujqësi, arsim, shëndetësi, rini, kulturë, sport dhe në ruajtjen e ambientit”.