Gjilani ambicioz, rritja e buxhetit 5 milion euro

Në tri vitet e ardhshme, buxheti i Komunës së Gjilanit, do të shënojë një rritje të ndjeshme, e cila do të shkojë deri në 5 milionë euro.

Lajme

23/06/2014 12:09

Salih Kqiku, drejtor për Buxhet dhe Financa, thotë se rritja është planifikuar në Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB), e cila është bazë për caktimin e politikave zhvillimore si dhe prioriteteve për periudhën 2015-2017. 

Kqiku thotë se duke respektuar kufijtë buxhetor të Ministrisë së Financave, për vitin 2015, në varantin e parë, është planifikuar një buxhet prej mbi 21 milionë euro, ndërsa bazuar në kërkesat e drejtorive dhe nevojat e qytetarëve, në variantin e dytë, është planifikuar buxheti prej mbi 25 milionë e 712 mijë euro. 

“Rritja do të jetë më e theksuar në dy vitet pasuese, kur buxheti do të shkojë në afër 26 milionë (2016), përkatësisht në 26 milionë e 285 mijë euro (2017). Në vitin 2015 parashihet një rritje reale prej 4.6 për qind, në vitin 2016 – 4.3 për qind dhe në vitin 2017 – 4.2 për qind. Edhe të hyrat komunale, kanë shënuar rritje nga viti në vit. Të hyrat e planifikuara për vitet 2015-2017 do të rriten përafërsisht prej 2.12 – 7.41 për qind, në krahasim me vitin 2014. Rritja bazohet kryesisht tek të hyrat nga tatimi në pronë, që deri në vitin 2017 do të jetë 4.5 për qind”, ka thënë ai. 

Sipas një komunikate për media, investimet kapitale do të shënojnë rritje në vitin 2015 për rreth 31 për qind, në krahasim me vitin 2014. Një pjesë e mirë e këtyre investimeve, bazohen në të hyrat vetanake. 

Si prioritete më të rëndësishme, në vizionin zhvillimor të Komunës së Gjilanit, për tri vitet e ardhshme, Kqiku përmend forcimin e ekonomisë lokale, përmirësimin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, kujdesin ndaj ambientit si dhe avancimin e shërbimeve për qytetarë.