Gjermania shfuqizon paralajmërimet për udhëtim në vende evropiane

Gjermania do të shfuqizojë paralajmërimet për udhëtimin në vendet evropiane duke filluar nga 15 qershori, ndërsa kontinenti vazhdon të rihapet.

Bota

03/06/2020 18:15

Paralajmërimin e bëri Ministri i Jashtëm, Heiko Maas, të mërkurën nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në ‘Twitter’, duke thënë se paralajmërimet për udhëtim në një seri vendesh, do të zëvendësohen me këshilla për udhëtim, shkruan mediumi gjerman The Local, transmeton lajmi.net.

“Ne kemi vendosur se që nga sot paralajmërimet për udhëtime, të vendosura për një numër të caktuar shtetesh do të largohen dhe do të zëvendësohen me këshilla udhëtimi”, tha Maas, duke iu referuar planeve të vendeve të BE-së për udhëtim, përfshirë Zvicrën dhe Islandën.

Diplomati gjerman bëri me dije se ky vendim “rrit shpresat dhe pritshmëritë”. Përkundër kësaj, ai thotë se “paralajmërimet për udhëtim nuk ishin ndalesa për udhëtim, e as këshillat për udhëtim nuk janë ftesë për ardhje”.

Mediumi gjerman bën me dije se ministri gjerman për diplomaci ndërkombëtare tha se këshillat e udhëtimit do e bëjnë të qartë nëse banorët gjermanë duhet ose nuk duhet të udhëtojnë në ndonjë shtet të caktuar.

“Ne do ofrojmë informacione sa më të hollësishme në formë këshllimi për udhëtim për secilin shtet”, shtoi ai.

Këshillat do të përditësohen çdo ditë, duke filluar nga 15 qershori. /Lajmi.net/