Gjermania refuzon 98 për qind të kërkesave për azil

Ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets ka thënë se migrimi i fundit i madh i qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të BE-së e dobëson pozitën negociuese të Kosovës dhe shanset e saj që shpejt të liberalizojë regjimin e vizave.

Lajme

15/01/2015 19:19

Ajo ka theksuar se 98 për qind e kërkesave për azil, që kanë arritur së fundi nga Kosova, janë refuzuar në mënyrë të përgjithshme.

Këto deklarata ambasadorja Viets i ka thënë gjatë një vizite që i ka bërë sot kolegjit ISPE, ku ka mbajtur edhe një ligjëratë për studentët me temë “Procesi i liberalizimit të vizave me Kosovën”.

Ambasadorja Viets ka folur për aspektet më të rëndësishme të procesit të negocimit që Kosova e ushtron me BE-në, me qëllim heqjen e regjimit të vizave për udhëtim dhe qëndrim të shkurtër të qytetarëve të Kosovës në vendet anëtare të Zonës së Shengenit.

Ajo ka shpjeguar se pas adresimit të kritereve për liberalizimin e vizave nga një vend i caktuar, është Këshilli i Bashkimit Evropian ai që është përgjegjës për nxjerrjen e vendimit final për heqjen e regjimit të vizave.

Lidhur me Kosovën, ajo ka theksuar se Këshilli i BE-së e ka rikonfirmuar mundësinë që Kosova të gëzojë regjimin pa viza me Zonën Shengen pas përmbushjes së të gjitha kritereve, pa marrë parasysh faktin se ajo ende nuk është njohur nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian./KosovaPress/