​Gjermania po përgatitet për një valë të re pandemike në vjeshtë

Gjermania duhet të miratojë konceptin e luftës kundër një vale të re të mundshme të pandemisë së koronavirusit në vjeshtë sa më shpejt të jetë e mundur, njoftoi sot ministri Federal i Drejtësisë Marco Buschmann.

Bota

03/07/2022 16:52

“Ka shumë gjasa të prezantojmë konceptin e luftës kundër koronavirusit për vjeshtën gjatë korrikut”, tha Buschmann në një intervistë për të përditshmen “Welt am Sonntag”.

Ai tha se si pjesë e konceptit të ri, “maska mbrojtëse do të luajë një rol më të fuqishëm”, që do të nënkuptonte kthimin eventual të detyrimit për mbajtjen e maskave në ambiente të mbyllura.

Ai tha se masat do të përshtaten me të dhënat aktuale nga terreni, por hodhi poshtë mundësinë e rikthimit të masave.

Të shtunën, në një intervistë për shërbimin publik Deutschlandfunk, kreu i grupit përfaqësues të FDP, Christian Duerr, iu referua ekspertizës së Këshillit të Ekspertëve, i cili këshillon qeverinë federale për masat kundër koronavirusit dhe që nuk mund të përcaktojë ndikimi i drejtpërdrejtë i masave të tilla si bllokimi në trendin e incidencës.

“Ne nuk mundemi, në bazë të supozimeve, të cenojmë sërish aq thellë të drejtat themelore të qytetarëve siç ishte rasti me kufizimin e lëvizjes”, tha Duerr.

FDP, e cila ka qenë në koalicion qeverisës me socialdemokratët dhe Të Gjelbrit që nga fundi i vitit të kaluar, njihet si një parti që ishte kritike ndaj shumë masave kundër pandemisë.

Ministri federal i Shëndetësisë Karl Lauterbach (Partia Social Demokrate e Gjermanisë SPD) paralajmëroi qytetarët në disa raste ditët e fundit për valët e reja pandemike që presin Gjermaninë në vjeshtë dhe dimër.

Incidenca në Gjermani aktualisht është në rritje dhe shumica e sëmundjeve të reja lidhen me variantin e ri të virusit Omikron BA.5.

Që nga marsi, të gjitha masat për të luftuar koronavirusin janë hequr në Gjermani, me përjashtim të detyrimit për të mbajtur maska FFP2 në transportin publik.

Këtë fundjavë, Bavaria hoqi kërkesën për maskat FFP2 në transportin publik dhe miratoi përdorimin e maskave mbrojtëse kirurgjikale, gjë që ka tërhequr kritika nga autoritetet federale, pasi këto maska ofrojnë më pak mbrojtje kundër infeksionit.