Gjermania përkrah synimet e Kosovës për BE

Presidentja Atifete Jahjaga sot priti një delegacion nga Bundestagu gjerman, të cilët i informoi për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Kryesuesi i këtij delegacioni, Johannes Selle, tha se Gjermania përkrahë synimet e Kosovës për anëtarësimin në BE.

Lajme

25/02/2014 17:27

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, sot priti në takim një delegacion nga Bundestagu gjerman, të udhëhequr nga Johannes Selle i cili ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer.

Presidentja Jahjaga vlerësoi vizitën e delegacionit të Bundestagut dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën në përmbushjen e vizionit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Presidentja Jahjaga njoftoi këtë delegacion për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast e cilësoi si të vetmen mënyrë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve. Ajo gjithashtu tha se agjenda europiane gëzon konsensus të gjerë kombëtar.

Përshpejtimi i procesit të integrimit europian i Kosovës, tha Jahjaga kërkon nxitjen e reformave, konsolidimin demokratik, rritjen ekonomike.

Në anën tjetër, kryesuesi i delegacionit gjerman, Johannes Selle theksoi se Gjermania përkrahë synimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai tha se projekti i Europës së bashkuar ka qenë i suksesshëm dhe ne dëshirojmë që edhe Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Evropës. Selle,  tha se  rruga e integrimeve  do të jetë e gjatë por se Kosova tashmë ka bërë hapat e parë dhe të rëndësishëm në këtë rrugë.

Delegacioni gjerman duke folur për intensifikimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, thanë se Kosova duhet të vazhdojë të fuqizojë infrastrukturën e investimeve me qëllim që më shumë investime të bizneseve gjermane të mund të vijnë në Kosovë. Kosova gjithashtu duhet të orientohet në ofrimin e arsimimit modern dhe praktik që i përshtatet nevojave të tregut dhe investitorëve.

Delegacioni i parlamentarëve gjermanë është pritur edhe nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Kryetari i Kuvendit u foli për nevojën për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe për një zhvillim më të hovshëm ekonomik, i cili, sipas Krasniqit, do të mundësonte krijimin e vendeve të punës, veçanërisht për të rinjtë.

Duke e çmuar lart interesimin dhe përkrahjen e Gjermanisë për Kosovën dhe qytetarët e saj në të gjitha proceset, kryeparlamentari Krasniqi kërkoi mbështetjen e mëtejshme të saj për tejkalimin e sfidave me të cilat po përballet Kosova.