Gjermania e kërkon marrëveshjen e re kornizë “Brukseli 2”

Mbajtja e konferencës ndërministrore ndërmjet Serbisë dhe BE-së, me të cilën edhe praktikisht do të hapeshin negociatat për anëtarësim të saj në BE, sipas të gjitha gjasave,  nuk do të organizohet para pranverës së vitit 2015. Kjo pasi Gjermania kërkon marrëveshje të dytë kornizë ndërmjet Serbisë e Kosovës. 

Lajme

10/08/2014 11:31

Si merr vesh gazeta Novosti e Beogradit, parakushte joformale për fillimin zyrtar të negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE janë dy: përmbushja deri në fund e marrëveshjes së Brukselit, si dhe nënshkrimi i marrëveshjes së dytë kornizë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përkatësisht Brukseli 2, transmeton lajmi.net.

Ministrja serbe e ngarkuar me BE-në, Jadranka Joksimoviq ka konfirmuar për gazetën serbe se ekzistojnë shtete të BE-së të cilat e lidhin hapjen e kapitullit të parë të negociatave për anëtarësim me përparim në dialogun e Brukselit, që përcillet nëpërmjet kapitullit 35, por ajo beson në “itinerar të përshpejtuar”.

Sipas saj, Serbia është e gatshme për vazhdim të dialogut me Prishtinën, por momentalisht procesi po ngec për arsye të ngjarjeve rreth formimit të qeverisë së re kosovare.

Dusha Janjiq, nga Forumi për marrëdhënie etnike, tha për gazetën se pas formimit të qeverisë në Prishtinë, dhe zgjedhjes së pasardhëses së Catherine Ashton, me gjasë do të vazhdohet me dialog në nivel të kryeministrave, deri në miratimin e marrëveshjes së dytë kornizë:

“Ai dokument do të hapë çështje të reja: bashkëpunimin me Kosovën në organizatat ndërkombëtare, përfshi edhe OKB-në, me çka nuk do të kërkohet njohja e anëtarësimit të Kosovës në OKB, por ‘mos pengimi’ i pranisë. Pastaj, pozita e komunitetit serb në Kosovë, arsimi, kultura, pasuria e Kishës Serbe. Të gjitha këto tema do të kalojnë në kapitullin 35, që praktikisht do të thotë se për ato nuk do të bisedojnë kryeministrat e dy vendeve”.

Ndërkaq, sipas ish ambasadorit serb në Berlin, Ivo Viskoviq, zbritja e dialogut në nivel teknik dhe futja e tij në Drejtorat të BE-së për zgjerim  nuk do të ishte gjë e mirë.

“Diplomacia serbe duhet të investojë mund që kjo të mos ndodhë”.