Gjermania blen mbi 2 mijë celularë kundër përgjimit

Sipas së përditshmes Bild, Qeveria e Gjermanisë po përgatitet për t’u mbrojtur nga shërbimet amerikane të inteligjencës, duke u pajisur me një sistem të sofistikuar kundër përgjimeve. 

Bota

14/08/2014 22:33

Bëhet fjalë për mbi 2 mijë celularë shumë të kushtueshëm dhe të pajisur me një mekanizëm sigurie të veçantë, të cilët do të blihen nga institucionet më të larta në Gjermani.

Këto masa vijnë si pasojë e planit mbrojtës kundër shërbimeve amerikane të inteligjencës. Pas publikimeve të shumta të kryera nga Edward Snowden, u zbulua se edhe celulari i Angela Merkel ishte nën përgjim të agjentëve të SHBA-ve. Kjo bëri që Gjermania të merrte disa masa.

“Duhet të ketë më shumë disiplinë në bisedat telefonike dhe shumë gjëra mund të shpjegohen në takime individuale, pa pasur nevojë për përdorimin e telefonit”, u shpreh presidenti i Kundërzbulimit, Hans Georg Maassen, nëpërmjet faqeve të gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung, transmeton gazeta Shekulli.

Në javët e fundit, zbulimi i dy agjentëve gjermanë të korruptuar nga shërbimet amerikane për të marrë informacione delikate e ka ashpërsuar edhe më shumë përplasjen mes Berlinit dhe Washingtonit mbi aktivitetin e agjentëve të spiunazhit në Gjermani, duke arritur kulmin në një vendim të qeverisë gjermane për të larguar nga vendi shefin e shërbimeve të SHBA-ve.