Gjermania azilkërkuesve: merrni vesh shqip

Shteti i Gjermanisë u është drejtuar edhe në gjuhën shqipe azilkërkuesve në Gjermani. Ata kanë sqaruar sërish se Gjermania nuk jep azil ekonomik.

Lajme

13/08/2015 17:02

“Azilkërkuesit nga Serbia, Bosnjë-Hercegovinë, Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi nuk kanë pothuajse asnjë shans në njohjen e statusit të azilit në Gjermani”, ka thënë presidenti i Entit Federal për Migrim dhe Refugjatë të Gjermanisë, Manfred Schmidt.

Për gjithë ata individë që pretendojnë se do të marrin azil në Gjermani, ai ka shkuar edhe më tej në një sqarim, ku thotë se:

“99.8 për qind e aplikimeve të azilit nga këto vende refuzohen nga Enti Federal për Migrim dhe Refugjatë”.

Presidenti i Entit Federal për Migrimin dhe Refugjatë, në mesazhin drejtuar të gjithë shtetasve që kërkojnë azil në Gjermani, thotë prerë se:

“Gjermania do t’i kthejë refugjatët e refuzuar nga Ballkani më shpejt se deri më tani”. Apeli është shpërndarë në rrjetet sociale, edhe në gjuhën shqip, në mënyrë të tillë që të jetë i suksesshëm nga të gjithë përdoruesit e rrjeteve sociale, për të ndikuar në këtë mënyrë në parandalimin e nisjes për të kërkuar azil në Gjermani.

Përveç kësaj, Gjermania dëshiron dhe mund të vendosë sanksione për azilkërkuesit e refuzuar, duke ndaluar hyrjen dhe qëndrimin për të gjitha vendet e BE-së. Në Gjermani diskutohet edhe për atë që refugjatët nga Ballkani të marrin shumë më pak pará se deri tani.