Gjermanët: Turqia u dërgoi armë xhihadistëve të ISIS-it dhe Al Nusra-s

Një konflikt i hapur diplomatik ka shpërthyer së fundmi midis Gjermanisë dhe Turqisë për çështjen e përgjimeve që shërbimi sekret gjerman BND ka kryer ndaj kryeministrit Erdogan dhe drejtuesve të lartë të shtetit turk.

Bota

19/08/2014 20:09

E përditshmja gjermane “Bild” ka dalë së fundmi me një shkrim të gjatë ku thekson se gjermanët i kanë përgjuar turqit për shkak se dyshonin në politikën e tyre properëndimore që prej vitit 2009. Sipas Bild, që i referohet burimeve gjermane, përgjimet janë intensifikuar gjatë shpërthimit të konfliktit në Siri.

Nga përgjigjet është perceptuar se Turqia i kishte hapur fare kufijtë ndaj xhihadistëve që kërkonin të shkonin në Siri, duke iu mundësuar atyre edhe lehtësira të tjera nëpërmjet shërbimeve të saj sekrete. “Turqia iu mundësonte grupeve radikale myslimane armë, municione dhe mjete të tjera nëpërmjet shërbimeve të saj sekrete”, citon Bild.

Madje, burimet të cilave i referohet gazeta gjermane theksojnë se amerikanët u kanë thënë gjermanëve se Turqia luante lojë të dyfishtë. Nga njëra anë fliste për politika properëndimore, kurse nga ana tjetër mbështeste xhihadistët në Irak dhe Siri.

Pas protestave në Parkun Gezi, ngjarjeve të fundit në Turqi, si edhe shpërthimit të skandalit të përgjimeve, marrëdhëniet midis dy shteteve janë të tensionuara. /dosja.net/